‘Handikos-i’ i Harruar në Lipjan

“Handikos-i”organizata që përfaqëson personat me aftësi të kufizuara nuk ka objekt për aktivitetet e saj.

“Handikos”në Lipjan zhvillon aktivitetet në kushte të mjerueshme në një kontejner i cili nuk i plotëson as kushtet elementare për veprimtarinë e tij.

Sipas koordinatorit të kësaj shoqateje  Adil Shamolli, përkundër faktit se komuna ia ka dhënë në shfrytëzim një parcelë prej 8 arësh para 15 vjetëve, përveç premtimeve ende nuk është bërë asgjë konkrete për ndërtimin e objektit.

“Kërkesa e parë është objektin me na e bërë, se objekti është kryesor se ne nuk kemi as zyrë të punës, as zyre që ju vyen njerëzve për rehabilitim. Për me zhvillu ndonjë aktivitet sportiv nuk ka kushte,” tha Shamolli.

Për kushtet e vështira në këtë shoqatë tregoi edhe anëtari i “Handikos-it” Fatmir Sopa.

“Siç po e shihni këto kushte qeto janë prej fillimit kur është filluar e deri më sot, e sot e tutje çka do të ndodh nuk e di, premtime ka që do të na ndihmojnë, por hala nuk kemi marr diçka definitive,” tha Sopa.

Për aktivitete ndonjëherë shfrytëzohet edhe korridori që është në gjendje shumë të keqe.

“Ju siç e patë vetë nuk kemi një lokal për me bërë aktivitete, vetëm atë zyrën që e patë ju, ajo është, atë e shfrytëzojmë, ose korridorin vetëm verës, atë korridor e shfrytëzojmë. Dimrit jo kuptohet se dimrit është ftoftë nuk mundemi me shfrytëzuar, kjo temperaturë që është sot pa pasur nxehje nuk mundet me qëndruar,” shpjegoi Fatmir Sopa.

Koordinatori i kësaj shoqate tha se kanë paraqitur kërkesa në komunë për kushte më të mira.

“Ne kemi bërë kërkesa, kemi kërkuar me na e gjetë një vend diku në kushte pak më të mira, meqenëse nuk kemi as rrjet, vetëm telefonin tim që e kam dhe e shfrytëzoj me para të mia. Një kompjuter e kemi pasur edhe ai është prishur dhe duhet ta dërgoj me rregulluar, me një fjalë nuk kemi kushte,” u ankua   Shamolli.

Avdullah Fazliu, drejtori për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale në Komunën e Lipjanit thotë se pushteti lokal nuk ka para për objektin e “Handikos-it”.

“Për momentin plan detal, ose një organizim, ose një lokacion nuk kemi, por besoj që kemi me punuar, kemi me ju ndihmuar me i nxjerrë prej atyre kontejnerëve. Me ju premtuar se do të ja u ndërtojmë një ndërtesë për momentin nuk mundemi,” tha Fazliu

“Handikos” është organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1983, përfaqëson dhe përkrah personat me aftësitë kufizuar duke avokuar dhe lobuar për të drejtat e tyre dhe duke ofruar shërbime për këtë kategori.