Bedri Hamza - Minister i Financave

Hamza mburret me me të hyrat tatimore prej 1.5 miliardë euro

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se ka pasur rritje të të hyrave buxhetore prej 6 për qind, ku të hyrat tatimore kanë qenë 1.5 miliardë euro, shumë e cila pritet të rritet për disa milionë euro deri në fund të vitit, respektivisht deri më 31 dhjetor të këtij viti.

“Duke ju falënderuar punës së madhe të stafit të Ministrisë së Financave, ne si Ministri po e përmbyllim një vit shumë të suksesshëm. Falë angazhimi të madh të stafit të MF-së dhe  një bashkëpunimi të shëndosh me donatorët ne kemi arritur të nënshkruajmë 25 marrëveshje financiare, ku 17 prej tyre janë marrëveshje grant në vlerë prej 181 milionë euro”, theksoi sot ministri i Financave, Bedri Hamza, në konferencën e fundit për këtë vit fiskal.

Ministri Hamza gjithashtu theksoi se gjatë vitit 2018, Ministria e Financave ka performuar lartë në fushën legjislative, ku janë proceduar në Kuvendin e Kosovës 14 ligje.

Ndërsa, sa i përket reformave fiskale, ministri Hamza bëri të ditur se gjatë vitit 2018  është bërë reforma më e madhe ekonomike që ka ndodhur ndonjëherë në vend, duke filluar nga lirimet nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmë produkti, linjat e prodhimit, pjesët rezerve dhe pajisjet e IT-së, si dhe lirimi nga tatimi i akcizës për lëndët ndihmëse në procesin e prodhimit.

Ministri Bedri Hamza gjatë konferencës bëri të ditur se performanca ekonomike mbetet solide, me tendencë përmirësimi. Sipas ministri Hamza, Kosova do të ketë rritje prej 4.3 %, ku investimet private dhe publike, si dhe eksportet janë kontribuuesit kryesor të  kësaj rritje.

Ai gjithashtu theksoi performancën e lartë të Ministrisë së Financave në kryerjen e obligimeve ligjore dhe përgjegjësive që ka në menaxhimin e financave publike, ku sipas ministrit Hamza sot MF ka arritur të kryej të gjitha transferet sociale dhe transferet e pagave, si në nivelin qendror ashtu edhe atë komunal.

Me këtë rast ministri Hamza theksoi se sa i përket ndikimit në mos përmbushjen e planit të të hyrave,  ka ndikuar performanca e dobët komunave për të hyrat, ku me këtë rast ministri Hamza bërë thirrje për një angazhim dhe përkushtim ma të madh nga komunat sa i përket të hyrave komunale.

Ministri Hamza gjithashtu bëri të ditur se sa i përket shpenzimeve buxhetore, vlen të theksohet se një ndër sukseset më të mëdha në këtë vit është që për herë të parë që nga vitit 2013,  investimet kapitale kanë kaluar shumën  mbi 500 milionë euro.

“Ndërsa, bilanci bankar është në një nivel shumë të mirë dhe presim që këtë vit të jetë 385 milion euro për krahasim që vitin e kaluar ishte 358 milionë euro. Ndërsa, deficiti Buxhetor ka qenë i projektuar për 2 për qind dhe sipas rezultateve shihet që deficiti primar është 0.9 për qind”, shtoi ministri Hamza.