Hamiti: Dikujt po i konvenon të dështoj konkursi për zv/kryeshef dhe drejtor të ZRPP-së

Në mbledhjen e 17-të të mbajtur sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pikë e rendit të ditës ishte edhe “Formimi i panelit intervistues për pozitën e zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv dhe Drejtorit Ekzekutiv të ZRPP-së”.

Për këtë pikë, mbledhja e KQZ-së vazhdoi pa praninë e mediave. Por para se të mbyllej, dyshime për konkursin ka shprehur Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga radhët e LDK-së.

Ai ka thënë se anëtarët e KQZ- së nuk janë njoftuar paraprakisht për formimin e panelit nga Sekretariati, teksa ka thënë se dështimi i konkursit po i konvenon dikujt.

“Kemi ardhur në një situatë në të cilën dje na vjen një e – mail e cila thotë se të nesërmen duhet të vendoset nesër (për sot), që është afati i fundit. Ne s’kemi qenë të lajmëruar si anëtar të KQZ-së, që jemi përgjegjës për këtë punë. Komunikon sekretariati në mes vete kurse nuk komunikon zyrtarja e personelit që duhet drejtpërdrejtë me neve të komunikoj. Por, ua ka ndaluar dikush të komunikojnë, dhe komunikimi vjen me datën 20 që nesër afati i fundit për listim të ngushtë. Ne do ta bëjmë sot, do të mbyllemi e nuk do të lejojmë që të dështoj konkursi. Dikujt po i intereson që të dështoj ky konkurs”, ka thënë Hamiti gjatë mbledhjes.

Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se nuk kanë materiale për këtë rend të ditës.

Adanan Rrustemi, anëtar të KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje ka pyetur kryetaren Daka nëse konkursin do ta monitoroj Ambasada Britanike në Prishtinë.

“Ne kemi diskutuar që të ftojmë Ambasadën E Britanisë për ta monitoruar konkursin, deri ku ka shkuar komunikimi a kanë gatishmëri ata për ta përcjell konkursin”, tha ai.

Daka në anën tjetër tha se Ambasada e Britanisë ka shprehur interesim në fillim, por më nuk kanë marr ndonjë informacion më nga ta.

“Ata kanë shprehë gatishmëri për ta përcjellë konkursin, por më nuk janë lajmëruar. Kanë qenë këtu, i kanë marr informatat rreth konkursit, kanë thënë se do të na njoftojnë por më s’kam marr ndonjë informatë. Unë mundem me komuniku edhe një herë me ta”, ka thënë Daka.

Enis Halimi, kryeshef i Ekzekutiv i Sekretariatit te KQZ-së tha se ka njoftuar kryetaren Daka pasi është mbyllur konkursi, por ai e pranoi se njoftimin nuk e kishte bërë edhe për anëtarët e KQZ-së.

“Me datën 15, Personeli kur ka përfunduar konkursi ua kam përcjell të ju kryetare, po ashtu edhe dje prapë më është adrersu dhe ua kam dërguar përsëri një e- mail. Unë nuk jam pjesë asnjë procesi”, tha ai.

Kryetarja Valdete Daka i tha atij që njoftimin do të duhej ta bënte për të gjithë anëtarët e jo vetëm për të.

“Ti je kryeshef dhe ti i menaxhon krejt këto, ashtu sic e dërguar dje shkresën është dashtë edhe me 15-in me ua dërgu të gjithë anëtarëve që me e ditë të gjithë që është data e fundit. Ajo është detyra e juaj jo e imja, nuk është detyra ime t’i njoftoj anëtarët për konkurse sepse ju e keni hapur jo unë, është detyra jote së bashku me stafin tënd” ka thënë Daka.