Gjykimi për pushkën ajrore të sjellë nga Suedia | Foto: KALLXO.com

Hamit Bytyqi u dënua me gjobë për një pushkë ajrore që e solli nga Suedia

Hamit Bytyqi, i akuzuar për armëmbajtje pa leje u dënua me pesëqind euro gjobë, pasi që nga prokuroria ngarkohej me akuzën se kishte një pushkë ajrore të cilën e kishte sjellë nga Suedia në Kosovë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, menjëherë pasi që prokurori Armend Hamiti e lexoi aktakuzën në lidhje me veprën penale e cila i vihej në barrë Hamit Bytyqit, I akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë.

Bytyqi tha se e kishte të lajmëruar këtë pushkë në Suedi, ndërsa sipas tij në shtetin skandinav për këtë lloj të pushkës nuk kërkohet leje specifike.

për veprën e cila i vihej në barrë, me ç’rast kërkoi nga gjykata një dënim sa me të butë me arsyetimin se ai nuk e kishte ditur se mbajtja e kësaj arme ishte e kundërligjshme në Kosovë.

“Se kam ditur që është e kundërligjshme mbajtja e pushkës ajrore në Kosovë, pasi që në Suedi pushka ka qenë e lajmëruar dhe atje për të nuk kërkohet leje specifike për mbajtjen të saj. Unë e kam lajmëruar në aeroport andaj edhe piloti i aeroplanit ka pasur njohuri dhe këtë e ka transmetuar te zyrtarët e Aeroportit në Prishtinë”, tha Bytyqi në gjykatë.

Prokurori Armend Hamiti në fjalën e tij përfundimtare  kërkoi nga kryetari i trupit gjykues që me rastin e shqiptimit dhe matjes së dënimit ndaj të akuzuarit, të merrej parasysh si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë dhe rrethanan nën të cilat është kryer vepra penale.

Pastaj, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti ia shqiptoi Hamit Bytyqit dënimin me gjobë prej 500 eurove, të cilin ai duhet ta paguajë brenda 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata vendosi gjithashtu që Bytyqit t’ia konfiskojë pushkën ajrore.

Sipas aktakuzës, Hamit Bytyqi në qershor të vitit 2016 pa autorizim ka poseduar armë kur ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” nga Geteborgu i Suedisë.

Piloti i aeroplanit të këtij fluturimi kishte njoftuar se Bytyqi kishte me vete një pushkë ajrore, e cila pas kontrollit i ishte gjetur dhe sekuestruar.

Aktakuza sqaron se pushka ajrore e Bytyqit ishte e kalibrit 4.5, e prodhuar në Spanjë, ndërsa bashkë me pushkën Bytyqi kishte edhe tri kuti me 1313 diabolla (fishekë të pushkës ajrore).

KALLXO.com ka shkruar edhe për dënime tjera për armëmbajtje pa leje.

http://kallxo.com/burgim-kusht-per-armembajtje-pa-leje/

http://kallxo.com/800-euro-gjobe-per-armembajtje-pa-leje/

http://kallxo.com/denohet-dorezuesi-vullnetar-armes/