Haliti ankohet për cilësinë e pasaportës së Kosovës: Sikur të vizatohet nga fëmijët

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti (PDK), ka kritikuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për cilësinë e pasaportave të Republikës së Kosovës.

“Unë z. ministër kam dy llafe sa i përket dokumenteve të  njoftimit që i prodhoni ju, ose kompania që e ka për obligim. Është gjynah çka po ndodhë me pasaporta. Ato fshihen dhe kanë mbetur vetëm kopertinat e kuqe. Nuk e kupton kush, duhet me çel brenda pasaportën, a është e Kosovës, e Zvicrës a e Shqipërisë, a e ndonjë vendi tjetër. Të gjitha pasaportat e botës në kopertinë kanë ngjyrë speciale që nuk fshihet”, tha ai.

Haliti gjatë seancës së Kuvendit, kërkoi nga ministri i MPB-së, Ekrem Mustafa që t’i bëjnë presion kompanisë që t’i punojë më mirë këto dokumente.

“Kjo është sikur me pas bo fëmija në shkollë me ngjyrat e drurit, edhe tri herë me mbajt në xhep ajo të fshihet. Është mirë që kompanisë me i bë presion si ministri që këto dokumente të jenë më në rregull dhe ngjyra në kopertina të jetë më e theksuar dhe më e pashlyeshme, siç i kanë krejt.  Më duket që e kam pasaportën e Shqipërisë, nuk ke shanse një vijë me pa të hjekur. Kurse pasaporta jonë është mos pyet”, përfundoi Haliti.

Lidhur me këto kritika, ministri Mustafa nuk e kërkoi fare fjalën në Kuvend.