Halimi: Lugina e Harruar nga Kosova e Shqipëria

Halimi tha për KALLXO.com se situata politike në Kosovë po ndikon në tri komunat jugore të Serbisë ku jetojnë shqiptarët.

“[Situata politike] më së tepërmi ndikon në Luginën e Preshevës edhe për shkak të lidhjeve tradicionale, por edhe për shkak se këtu kemi të bëjmë me lidhje jonormale në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe Lugina është peng i këtyre raporteve,” tha Halimi.

Sipas tij përkrahja për Luginën e Preshevës nuk është në nivelin e duhur.

“Derisa këtu në Beograd nuk ka asnjëfarë gatishmërie që të bisedohet për çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me Qeverinë e Kosovës, këtë nuk e refuzojnë me Qeverinë e Tiranës megjithatë edhe nga ajo anë deri më tani është një interesim shumë i zbehtë për shumë çështje jetësore më tepër verbal sesa praktik,“ tha Halimi.

Ai shpjegoi se Beogradi do reciprocitet të drejtash të serbëve në Shqipëri me shqiptarët në Serbi, por tha se ka pak serbë në shtetin shqiptar.

“E kemi një situatë që te Shqipëria ende nuk është e definuar pakica serbe, sepse është pjesa e fshatrave mbi Shkodrën ku jetojnë një pakicë, por ende është e paqartë se a deklarohen si serbë apo malazezë dhe një apo dy fshatra në rrethinë të Fierit që në momente të caktuara deklarohen si serbë. Kemi të bëjmë me një numër simbolik në krahasim me numrin e shqiptarëve në Serbi. Pakica shqiptare është e definuar prej viti 1944,” deklaroi Halimi.

Madje ai tregoi një rast kur ka kërkuar llogari se përse shqiptarët në Serbi nuk po trajtohen si serbët në vendet shqiptare.

“E di se një delegacion i Parlamentit të Serbisë kishte vizituar Shqipërinë dhe kishte qenë pikërisht në atë fshatin afër Fierit dhe kur u kthyen deklaruan se u kanë dërguar libra edhe se në objektin e shkollës figurojnë edhe flamuri i Shqipërisë edhe i Serbisë. E pata shtruar pyetjen pse kjo s’po u lejohet shqiptarëve këtu. Asnjëherë në shkollat në gjuhën shqipe nuk guxon të përdoret flamuri kombëtar i shqiptarëve,” tha Halimi.

Dy kamionë me libra dedikuar nxënësve shqiptarë në Serbi nga Kosova u kthyen prapa nga autoritetet serbe pasi qëndruan për 6 muaj në një terminal doganor.

http://kallxo.com/serbia-kthen-ne-kosove-tekstet-shkollore-ne-gjuhen-shqipe/

Halimi tha se ky kthim i librave u bë për t’u pamundësuar nxënësve shqiptarë mësimin me libra adekuate.

Halimi nuk do të konkurrojë për deputet në zgjedhjet e 24 prillit në Serbi.