Gani Geci

Halil Geci Qan në Gjykimin e Vëllait

Halil Geci ishte dëshmitari i radhës në procesin që po zhvillohet kundër vëllait të tij, Ganiut, i cili akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht 2014 në Skenderaj.

I thirrur të dëshmojë nga mbrojtja e vëllait të tij, Halil Geci ka rrëfyer ato që i ka përjetuar i akuzuari por edhe tërë familja e tyre në periudhën e pasluftës.

I pyetur nga avokati Ndrec Dodaj se nëpër çfarë rreziqesh ka kaluar Ganiu dhe familja e tij, dëshmitari u përgjigj: “Gania ka kaluar nëpër rreziqe të mëdha”. Pse ky është gjallë, tha Halil Geci, duhet falënderuar vetëm Zotin.

Dëshmitari kujtoi atentatin e kryer më 2001 kundër vëllait të tij. “Në këtë atentat janë vrarë dy shokë të tij, Besim Dajaku e Bekim Kastrati, e ky është plagosur”, tha Halil Geci.

Më tej, dëshmitari tha se të gjithë shokët politikë të Ganiut janë vrarë. Ai përmendi Tahir Zemajn, Smajl Hajdarin, etj.

Teksa fliste për vrasjet, në një moment dëshmitari ka shpërthyer në lot. Kjo ndodhi kur tha se kanë dashur t’ia vrasin edhe djalin e Ganiut.

Seanca është duke vazhduar me dy dëshmitarë të Prokurorisë.

Gani Geci që nga dita e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit në kafenenë “N’Qosh” në Skenderaj e deri më 22 gusht 2014 kur iu dorëzua EULEX-it, konsiderohej i arratisur, pasi nuk dëshironte të binte në duart e drejtësisë vendase.

Në seancën e 4 prillit të këtij viti, trupi gjykues i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit që e mori rastin e  tij, ia ndryshoi aktakuzën.

Geci nga trupi gjykues me shumicë të gjyqtarëve vendas akuzohej për vrasje në tronditje të thellë mendore dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa nga EULEX-i akuzohet për vrasje të rëndë, përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje.

Dënimet për vrasje të rëndë sillen nga dhjetë vjet burg deri në burgim të përjetshëm.

http://kallxo.com/deshmitaret-rrefejne-per-vrasjen-nqosh/

http://kallxo.com/ekskluzive-gani-geci-do-te-gjykohet-nga-eulex-i/

http://kallxo.com/sa-vjet-burg-rrezikon-gani-geci-nese-gjendet-fajtor/