Porosia e Halil Gecit për Gruan e Ruzhdi Shaqirit

Pasi u shqyrtua në Apel rasti i vrasjes së Ruzhdi Shaqirit për të cilën vrasje akuzohet Gani Geci, vëllai i madh i tij Halili pati një porosi për gruan e të vrarit.

“Ruaji fmijtë”, i tha Halil Geci Halime Shaqirit.

Sokol Dobruna, avokati i Halime Shaqirit këto fjalë të Gecit i konsideroi kërcënim.

“I tha gruas së viktimës ‘ruj fmijtë’. Ia tërhoqa vërejtjen, i thashë t’i po kërcënohesh. Tha jo”, deklaroi Dobruna.

Ai tregoi se edhe vetë ndërroi fjalë me Halil Gecin në lidhje me kohën e luftës së UÇK-së.

“M’u afru vëllai i madh i të akuzimit [duke më thënë] a m’ki diçka borxh. Unë s’e kuptova për çfarë borxhi ishte fjala. A ma ke dënu vëllain me pushkatim. Thashë jo”, deklaroi Dobruna.

Dobruna ishte shef i Shërbimit Juridik në UÇK gjatë kohës së luftës.

Ai tregoi se i akuzuari Gani Geci nuk i ishte përgjigjur mobilizimit të përgjithshëm.

“Kur është desht të bahet mobilizimi i përgjithshëm për zhvillimin e luftës çlirimtare të Kosovës edhe pse i akuzumi ka qenë me armatim të randë gjithfarësh, as nuk i ka dorëzu armët, as nuk ka ardhë në luftë”, tha avokati Dobruna.

Halil Geci kishte dëshmuar në procesin gjyqësor kundër vëllait të tij Gani Geci në maj të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/halil-geci-deshmon-ne-gjykimin-e-vellait/