Haki Abazi: Pronto II dhe ATK, Dëshmi për Drejtësinë Inekzistente

Haki Abazi për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ vlerësoi se afera e përgjimeve e titulluar ‘Pronto II’ shfaqi ‘sistemin e vërtetë ligjor’ në Kosovë në një rast që, sipas tij, është evident dhe i paraqitur qartë si shkelje e ligjit.

“Pronto II tregoi se këtu sistemi ligjor as që ekziston jo për faktin se është i manipuluar politikisht sidomos pjesa e policisë që bën arrestimin e njerëzve në rrugë për shkak se shpërndajnë fleta me qëndrime kundër qeverisë… dhe kemi seriale të bisedimeve, të orkestrimeve të pozitave publike, kontrollit, diskriminimit, manipulimit të procedurave të punësimit dhe nominimit nëpër institucione të rëndësishme përfshirë edhe vetë prokurorinë në rastin e z. Hyseni dhe prokuroria nuk bën asnjë gjë për me ecur tutje”, tha Abazi.

Ai gjithashtu analizoi veprimet e prokurorisë dhe konkretisht prokurorit Ali Rexha në trajtimin e zbulimit të evazionit masiv fiskal nga Administrata Tatimore e Kosovës  të publikuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

“Është shumë e vështirë me u shpjegu se qysh është e mundur me gjakftohësi një njeri të deklarohet që i kemi shqyrtu këto që kanë qenë të rëndësishme por këto të tjerat i kemi falë sepse e kanë rishkru raportin për ATK-në. Në bazë të deklaratave tregohet se kemi aplikim diskrimunes të ligjit sepse nuk mundesh një pjesë me akuzu edhe me dënu dhe një pjesë tjetër me e liru dhe mi dhanë mundësinë me e rishkru”, vlerëson Abazi.

Haki Abazi analizoi edhe zhvillime të tjera në vend gjatë vitit 2016 duke përfshirë ngjarjet në veri të Mitrovicës, korrupsionin, rezultatet e testit PISA etj…