Haki Abazi: Ja Çka Duhet të Bëjnë Shqiptarët pas Fitores së Trump

Abazi i ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, tha se gjuha e Presidentit të ri të SHBA-ve, Donald Trump, gjatë fushatës zgjedhore ka hapur rrugë për ashpërsimin e gjuhës politike edhe më gjerë.

“Kosova dhe rajoni nuk mund të jetë imune prej trendeve në botë. Fushata e Trump ka qenë e karakterizuar me gjuhë dhe retorikë që nuk është dëgjuar ndonjëherë në politikën amerikane që është ksenofobe, islamofobe, anti-meksikane dhe në fund e bëri të pranueshme edhe ofendimin e skajshëm të gjinisë femërore. Kjo fitore që ka qenë e karakterizuar me retorikë të tillë dhe shumë pak me politika të qarta edhe për brenda dhe politikë të jashtme, më bën të mendoj që është shumë e dëmshme për standardin dhe nivelin e gjuhës politike që përdoret edhe në rajon edhe në vende tjera”, tha Abazi për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Në intervistën për Jeta Xharrën, ai gjithashtu analizoi sjelljen e qeverisjes dhe popullit shqiptar dhe atij të Kosovës që do t’u mundësonte që edhe tani të qëndrojnë në ‘anën e mirë’ të Amerikës.

“Kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të jenë konsistentë në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Qendra e orientimit të punëve duhet të jetë me shtetet europiane…. Islami në Kosovë ka bashkëjetuar dhe ka qenë gjithmonë pjesë e tolerancës dhe koekzistencës me të gjitha konfesionet”, deklaroi Abazi.

Haki Abazi analizoi edhe zhvillime të tjera në vend gjatë vitit 2016 duke përfshirë ngjarjet në veri të Mitrovicës, korrupsionin, rezultatet e testit PISA…