Hajdar Beqa: Nuk e di për kënd e ka fjalën Sami Lushtaku

Lidhur me akuzat e bëra nga kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, se 4-5 njerëz të partisë së tij kontrollojnë drejtësinë, bizneset dhe çdo gjë tjetër në Kosovë, KALLXO.com ka kontaktuar deputetin e Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Hajdar Beqën.

Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa tha se është mysafir dhe nuk e ka lexuar deklaratën e bërë nga Lushtaku në profilin e tij në Facebook.

“Jam mysafir në një vend e s’e kam lexu shkrimin e z. Lushtaku dhe nuk e di se për çfarë bëhet fjalë”, tha fillimisht Beqa.

KALLXO i ka treguar se çfarë ka deklaruar Lushtaku për faktin se 4-5 njerëz të PDK-së e kanë në dorë drejtësinë, mediat e bizneset në Kosovë, Beqa tha se ai nuk e di se për kë e ka pasur fjalën Sami Lushtaku.

“Por ju është mirë me thirrë z. Lushtaku. Ai është shumë transparent dhe ju tregon”, tha Beqa.

I pyetur për faktin që Lushtaku ka deklaruar se nuk do të largohet nga pozita e kryetarit të degës së PDK-së, Hajdar Beqa tha se kryetari i partisë, Kadri Veseli, e ka potencuar se për çfarë lloj aktakuzash e ka pasur fjalën.

“Me sa kam informatë unë z. Lushtaku e ka aktakuzën për luftë e për UÇK. Ajo është diçka e shenjtë. Kryetari Veseli ka thanë se njerëzit që kanë problem me ligjin për korrupsion e nepotizëm. E z. Lushtaku nuk bën pjesë të kjo”, tha Beqa.

https://kallxo.com/vellai-i-deputetit-hajdar-beqaj-i-ka-gjykatesit-te-vetet-video/

Kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, tha sonte se nuk do ta lëshojë postin e të parit të kësaj partie në këtë komunë, pavarësisht kërkesës së shefit të tij Kadri Veseli.

Lushtaku përmes një postimi në Facebook tha se ai është zgjedhur në këtë post nga votat e anëtarëve të PDK-së dhe se sipas tij, vetëm ata kanë të drejtë ta largojnë.

“Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time”, ka shkruar ish-kryetari i Skenderajt.

https://kallxo.com/sami-lushtaku-prej-pdk-se-me-largojne-vetem-ata-qe-me-kane-zgjedhur/

Ai po ashtu tha se nuk ka ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion e asnjë aferë me krim të organizuar.

“Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime”, ka thënë Lushtaku.

Ish-kryetari i Skenderajt tha se për PDK-në është mëshiruar dhe ka qenë pjesë që nga fillimi dhe se askush nuk e ka qëllimin që ta largojë.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka shtuar Lushtaku.