Foto: Johannes Hahn/Twitter

Hahn tregon se çka bisedoi me liderët kosovarë në Mynih

Komisioneri Johannes Hahn gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën për Siguri që është duke u mbajtur në Mynih të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim me liderët kosovarë.

Në një postim në Twitter, Hahn ka shkruar se ka zhvilluar një bisedë të mirë me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Në këtë postim komisioneri Hahn ka ritheksuar urgjencën për tu kthyer në dialog.

“Bisedë e mirë me Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn dhe Behgjet Pacollin. Unë e ritheksova urgjencën për tu rikthyer në dialog me Serbinë që po ndërmjetësohet nga Federica Mogherini. Për ta mundësuar këtë, unë përsërita ofertën time për të ndërtuar në një mënyrë të shpejtë dhe praktike, zgjidhjen e tregtisë që është irrituese në të dyja anët”, ka shkruar Johannes Hahn.