Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë e Negociata për Zgjerim, s - Foto: KALLXO.com

Hahn Përgëzon Kosovën për Punën Drejt Liberalizimit

Komisionari i BE-së për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn në një konferencë të drejtpërdrejtë nga Brukseli pasi Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për vendet që pretendojnë hyrjen në Bashkimin Evropian, foli mes tjerash edhe për Kosovën.

Hahn tha se Kosova ka përparuar drejt plotësimit të kritereve për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në Zonën Schengen, por deklaroi se duhet të plotësohen edhe dy kushtet e mbetura.

“Mirëpres hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Përgëzoj punën për liberalizimin e vizave, por ka ardhur koha që edhe dy kushtet tjera të plotësohen,” tha Hahn.

Kosova si kriter për liberalizimi të vizave i ka edhe rezultatet në luftimin e korrupsionit dhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Komisionari deklaroi se Kosova, por edhe Serbia duhet të përkushtohen për vazhdim të dialogut.

Ai paralajmëroi ardhjen në Kosovë të premten.

“Unë do të kem mundësi të premten të flas me ta. Kosova duhet të përkushtohet në mënyrë më aktive dhe progres në marrëdhënie me Serbinë,” tha Hahn.

Hahn në konferencën e transmetuar direkt nga Brukseli në Qendrën Kulturore dhe Informative të BE-së në Kosovë, gjetjet për vendet kandidate i paraqiti pasi Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi në mënyrë unanime pakon për këto vende.

Hahn tha se edhe Serbia ka përparuar në rrugën e saj evropiane, por deklaroi se prioritet për këtë shtet BE-ja do ta konsideroj përparimin në dialogun e Brukselit me Kosovën.

“Progresi në bisedimet me Kosovën do të jetë kyç. Duhet të përgëzohet në rolin e saj konstruktiv në procesin e migrimit,” tha Hahn për Serbinë.

Sipas Hahn-it Shqipëria duhet të bëjë reformë gjithëpërfshirëse të drejtësisë, ndërsa në Maqedoni nuk është zgjidhur kriza politike.

Për Bosnjën reforma socio-ekonomike, ajo e sundimit të ligjit dhe administratës publike janë kusht për përparim në rrugën evropiane.

Në konferencë Hahn më së shumti foli për Turqinë. Tha se megjithëse ky shtet përballet me kërcënime, duhet të ndryshojë ligjet që ato të mos përdoren kundër opozitës e gazetarëve.

Mali i Zi sipas Hahn-it “vazhdon të ketë progres në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Zgjedhjet e fundit janë organizuar në mënyrën me të mirë e transparente,”.

Raporti i Progresit për Kosovën konsideron se ky vend është në një fazë të hershme të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa konstaton se korrupsioni në Kosovë është problem serioz dhe në këtë vend ka ndikim të tepruar gjatë hetimeve.

http://kallxo.com/raporti-progresit-sheh-vendnumerim-te-kosoves/