Hahn: Në BE Gjuhemi me Argumente, jo me Gaz Lotsjellës

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn është takuar sot në Bruksel me anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka kërkuar që për hir të vendit opozita të heqë dorë nga gazi lotsjellës e t’i kthehte dialogut.

“Pra, për hir të vendit tuaj dhe popullit të tij unë do të doja të kërkoj nga opozita të heqë dorë nga dhuna dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në debatet në Kuvendin e Kosovës,” tha Hahn në deklaratën e tij.

Sipas Hahn-it dhuna e përdorur në Kuvend nuk është pasqyrë e mirë per vendin.

“Qeveria së bashku me opozitën kanë një përgjegjësi kolektive për të punuar shumë për të ndryshuar këtë imazh. Për t’i bërë gjërat më mirë duke ofruar një perspektivë pozitive për popullin e Kosovës, sidomos brezin e ri,” tha më tutje Hahn.

Komisionari evropian trimëroi kosovarët duke thënë se ka mbetur vetëm edhe pak rrugë deri në liberalizim.

Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel. Nuk e cilësoi të lehtë, por tha se “është për të ardhmen e vendit tuaj dhe rrugën evropiane të Kosovës”.

Hahn përmendi edhe rrugën evropiane të Kosovës

“Parlamenti Evropian tashmë ka dhënë pëlqimin e tij për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Së shpejti Këshilli do të miratojë atë dhe presim që ajo të hyjë në fuqi para verës. Kjo nuk është vetëm lidhja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, por zbatimi i tij do të riforcojë reformat shumë të nevojshme që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tuaj,” tha Hahn.

Hahn qëndroi në Kosovë në nëntor të vitit të kaluar kur iu drejtua me një fjalë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa opozita e priti me disa parulla të shkruara.

http://kallxo.com/hahn-nuk-u-perqendrova-te-baneret-e-opozites/