Haga Vendos Rigjykim Për Dy Shefat Serbë të Sigurimit të Shtetit

Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë vendosi të martën se ka pasur gabime të rënda ligjore dhe faktike kur gjykata e OKB-së liroi nga akuzat Stanisiçin dhe Simatoviçin për krime lufte në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të dërgohet për rigjykim, dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët duhet të dëgjohen përsëri plotësisht nga gjyqtarë të rinj. Të dy burrat janë dërguar përsëri në paraburgim.

“Dhoma e apelit nuk mundi të vendoste si duhej për përgjegjësinë e Stanisiçit dhe Simatoviçit në lidhje me krimet pasi ajo dëgjoi dëshmitarët,” tha gjykatësi Fausto Pocar, duke shpjeguar pse ishte i nevojshëm një rigjykim.

Stanisiç, ish-kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, dhe Simatoviçit, një ish-zyrtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, akuzohen se kanë qenë pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale, e cila kishte si qëllim të dëbonte me forcë dhe përgjithmonë jo-serbët nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës nga viti 1991 deri në vitin 1995.

Sipas aktakuzës, ata ishin njerëzit kryesor të njësive sekrete të armatosura që nuk ishin të autorizuara ligjërisht nga autoritetet serbe për të ndërmarrë veprime speciale ushtarake.

Gjatë ekzistencës së tyre nga viti 1991 deri në vitin 2003, këto njësi kishin emra të ndryshme – Knindzet (‘Ninxhat nga qyteti i Kninit), Skorpionët, Tigrat e Arkanit, Beretat e Kuqe dhe Njësia e Operacioneve Speciale – dhe ishin të njohur për metodat e tyre brutale të luftimit.

Gjyqtarët e Gjykatës së Hagës vendosën në vitin 2013 se njësitë kryen krimet që ishin listuar në aktakuzë, por thanë se Stanisiç dhe Simatoviç nuk mund të mbaheshin penalisht përgjegjës për to.

“Në rastet kur dy të akuzuarit ndihmuan njësitë speciale, kjo ndihmë nuk ishte specifikisht kundrejt kryerjes së krimeve,” thuhej në vendim.

Gjyqtarët thanë gjithashtu se prokurori nuk kishte arritur të vërtetonte përtej dyshimit të arsyeshëm se Stanisiç dhe Simatoviç kishin planifikuar apo urdhëruar krimet e njësive.

Ata vendosën më tej se dy të pandehurit nuk ishin pjesë e sipërmarrjes së përbashkët kriminale krahas ish-liderit serb Sllobodan Milloseviç, liderit të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel, kreut kroat të Serbisë Goran Haxhiç, komandantit kroat të Serbisë Milan Martiç, udhëheqësit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç, shefit të ushtrisë serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç dhe ish-presidentes serbe të Bosnjës Biljana Plavsiç.

Stanisiç dhe Simatoviç, të cilët shiheshin si “njerëzit e Millosheviçit në terren” gjatë konflikteve, të dy e deklaruan veten të pafajshëm në gjyqin fillestar.

Që prej vitit 2013, ata të dy kanë jetuar në Beograd.