Radovan Karaxhiq në fillimin e gjykimit të tij në Hagë në vitin 2011 | Foto: ICTY

Haga Refuzon Pretendimet e Karaxhiqit për Kancer

Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare tha se raporti mjekësor i komisionuar nga specialistë holandezë nuk i mbështeti pretendimet e Karaxhiqit se ndër të burgosurit në burgun e Scheveningenit në Holandë, ku mbahen të pandehurit për krime lufte, kishte raste anormale të prekurish me kancer.

“Nuk ka asnjë provë për numër të madh rastesh me kancer apo rritje rreziku për kancer”, tha në një deklaratë Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare.

Raporti, i prodhuar nga Qendra Mjekësore Universitare Erasmus në Roterdam, u komisionua pasi Karaxhiq tha se ai ishte i shqetësuar nga numri i sëmundjeve të rënda të raportuara ndër të burgosurit e Gjykatës së Hagës dhe bëri thirrje për një hetim mjekësor.

Deklarata e Mekanizmit për Gjykatat Ndërkombëtare tha se Karaxhiq ishte “i shqetësuar nga sasia e rasteve të kancerit që ndodhnin midis të burgosurve në qendrën e paraburgimit dhe përmend se plastika që përdorej për të mbështjellë ushqimin e të burgosurve ishte shkaku”.

Deklarata thoshte se ka pasur rreth 10 raste kanceri midis 169 të burgosurve në qendrën e paraburgimit gjatë 12 viteve të fundit.

Ish-lideri i serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiq vdiq korrikun e kaluar para dhënies së vendimit në gjyqin e tij për krime lufte, pasi vuante nga kanceri në tru, ndërsa një tjetër i pandehur, lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel, u lirua përkohësisht për t’u kuruar nga kanceri në nëntor 2014.

Por pasi e vlerësoi situatën, në raportin mjekësor thuhej se “mundësia që të kishte një rritje rastesh me kancer në qendrën e paraburgimit ishte shkencërisht e pamundur”.

Në krahasim me njerëzit e të njëjtës moshë në ish-Jugosllavi, “tek të burgosurit nuk vihet re asnjë rritje rreziku kanceri”, thuhej në të.

Ish-lideri politik serb i Bosnjës Karaxhiq u dënua në mars 2016 për gjenocid dhe krime të tjera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë me 40 vjet burg.

Ekipi mbrojtës i Karaxhiqit apeloi kundër vendimit në dhjetor dhe bëri thirrje për lirim nga akuzat.

Edhe prokuroria apeloi gjithashtu, duke kërkuar që Karaxhiqi të shpallej fajtor për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992, si edhe në Srebrenicë në vitin 1995, dhe që dënimi i tij të rritej e të bëhej burgim i përjetshëm.

Apeli në Mekanizmi, për Gjykatat Ndërkombëtare, i cili po merr përsipër punën e mbetur të Gjykatës së Hagës ndërsa kjo e fundit mbyllet, do të vendosë për apelet.