Haga ia refuzon Radovan Karaxhiqit kërkesën për apel të dënimit me burg të përjetshëm

Gjykata e OKB-së në Hagë hodhi poshtë kërkesën e ish-presidentit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq që të lejohet të paraqesë një apel kundër kohëzgjatjes së dënimit të tij me burg për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të mërkurën tha se nuk do të lejonte një apel kundër kohëzgjatjes së dënimit të vendosur muajin e kaluar për ish-presidentin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq.

“Nuk ka baza ligjore në statut apo në rregullat e Mekanizmit në bazë të të cilave Karaxhiq mund të apelojë vendimin e shkallës së dytë ose një pjesë të tij,” thuhej në vendimin e nënshkruar nga kryetari i Mekanizmit Carmel Agius.

Sipas vendimit, MICT refuzoi gjithashtu kërkesën e Karaxhiqit për të miratuar emërimin e një këshilltari ligjor i cili do ta ndihmonte atë të përgatiste një kërkesë për rishqyrtimin e vendimit të shkallës së dytë të marsit që e rriti dënimin e tij nga 40 vjet burg në burgim të përjetshëm.

Karaxhiq paraqiti një mocion javën e kaluar në të cilin ai tha se mendonte se Mekanizmi gaboi kur e dënoi atë me burgim të përjetshëm, sepse nuk mori parasysh “praktikat e gjykatave në ish-Jugosllavi”, duke shkelur kështu të drejtat e tij njerëzore.

Karaxhiq tha gjithashtu se gjykata nuk arriti të ofronte një shpjegim të vendimit të saj për të rritur dënimin e tij me burgim të përjetshëm nga dënimi i shkallës së parë prej 40 vjet burg që u dha në vitin 2016.

Megjithatë, gjykata e OKB-së deri më tani ka ndryshuar një dënim vetëm një herë – në rastin e ish-gjeneralit të Ushtrisë Popullore Jugosllave Veselin Sljivancanin, i cili u dënua për rolin e tij në masakrën e Vukovarit të vitit 1991 në Kroaci.

Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës e reduktoi dënimin me burg për Sljivancanin nga 17 vjet në 10 vjet.

Gjykata bie dakord të shqyrtojë një dënim vetëm në rast se paraqiten prova të reja.

Më 20 mars, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare e dënoi Karaxhiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.

Ai u gjet fajtor për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Por ai u lirua nga akuzat për gjenocid në komuna të tjera boshnjake në 1992.