Foto: Kallxo.com

Hadërgjonaj-Gaxherrit: Ke punuar në PTK sa ke qenë deputete

Deputetja nga radhët e PDK-së, Safete Hadërgjonaj e ka akuzuar kolegen e saj nga LDK-ja, Besa Gaxherrin, se i ka mbajtur dy pozita publike, në PTK dhe si deputete e Kuvendit.

“Deputetja Besa Gaxherri ka qenë menaxhere në Postë-Telekom atëherë si dhe ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës dhe tash i del në mbrojtje abuzimeve që i ka bërë LDK-ja në këtë institucion. Sot Telekomi dhe të punësuarit aty kanë nevojë për qasje pozitive tonën”, tha deputetja e pozitës.

Ndërkaq, Besa Gaxherri nga LDK-ja tha i vjen keq që kolegia e saj është lëshuar në diskutime personale.

“Edhe kjo vet e dinë që gënjeu. Unë kam punu në PTK pasi ligji ma ka leju, kur ma ka ndaluar ligji unë jam tërheq. Vendin e punës ma ruan ligji. Kam shumë argumente çka ka ndodhë aty por nuk lejoj askush të bëjë krahasime apo të barazojë shkeljet që janë bërë aty, me emrin tim. Jam shembull si duhet me punu për vendin”, tha deputetja opozitare.

Ndërkaq, sërish deputetja Hadërgjonaj tha se në diskutimin e saj nuk ka pasur asnjë gënjeshtër.

“Ligji dhe as Kushtetua nuk thotë me i mbajt dy pozita, si deputete dhe postin menaxher në institucion publik. Zonja e nderuar e din që për vite të tëra i ka mbajt për dy postet”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr.06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.