Gypat e ‘Vjetër’ në Fabrikën e Re të Ujit

Dyshimet për cilësinë e më shumë se 300 gypave  të destinuar për fabrikën e re në Shkabaj, të cilët do të furnizojnë në të ardhmen me ujë të pihej nga banorët e kryeqytetit dhe komunat tjera ka bërë që ekipi i “Jeta në Kosovë”  të shkojë në vendin e ngjarjes në fshatin Milloshevë për të diskutuar më përfaqësuesin e kompanisë mbikëqyrëse për këtë projekt si dhe zyrtarët e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Engjëll Duzhmani , zëvendës menaxher i  kompanisë mbikëqyrëse, DORCh, ka vlerësuar se gypat e kontraktuar janë të standardit të lartë dhe sipas tij ata që janë të dëmtuar mund të riparohen.

“Këto janë dëmtime fizike  kur në anije janë përplasur njëri më tjetrin, pra janë dëmtime që janë brenda standardit që e lejon riparimin”, shpjegon Duzhmani.

Dyshimet rreth cilësisë të gypave janë ngritur nga Komuna e Prishtinës , gjegjësisht kryetari Shpend Ahmeti cili ka kërkuar hetime dhe komision vlerësues.

Mirëpo ,Ilir Rexhepi , anëtari i bordit të kompanisë së ujësjellësit  ka pasur kritika për mënyrën e ngritjes së shqetësimit nga ana e Ahmetit, pasi sipas tij do duhej të kishte qasje më institucionale.

“Kryetari është person publik, mban përgjegjësi për deklaratën publike. Çështja duhet të ngritet në bazë institucionale jo në bazë të rrjeteve sociale”, tha Rexhepi për emisionin “Jeta në Kosovë”.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-kerkon-hetime-per-gypat-e-ujesjellesit/

Megjithatë , dëmtimi i më shumë se 300 gypave i është dukur i çuditshëm edhe ish-drejtorit të ujësjellësit , Skender Bublakut.

Bublaku ka vlerësuar korrozionin si një ndër problemet më shqetësuese ndërsa ka thënë se në aspektin mekanik mund të mos jetë e definuar saktë standardi  i cilësisë së këtyre  gypave.

“Problemi mekanik më duket pak i çuditshëm se si është e mundur të dëmtohen 300 gypa. Besoj se raporti e nxjerr përfundimin në kuptimet tjera por për atë mekanik nuk e kam të qartë se a është e definuar saktë se këta gypa i plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme” ka shprehur shqetësimin Bublaku.

Në ndërkohë udhëheqësi  aktual i ujësjellësit  ka ritheksuar se dëmtimet janë vetëm mekanike.

Megjithatë , ushtruesi i detyrës së drejtorit  të ujësjellësit, Ilir Abdullahu është zotuar se do të kryejnë testime të tjera për të larguar të gjitha shqetësimet.

“Ne do të bisedojmë së bashku edhe me bordin edhe me Komunën e Prishtinës dhe me të gjitha institucionet se në çfarë faze tjetër ne mund ta bëjmë edhe një test tjetër”, ka thënë Abdullahu.

Emisioni “Jeta në Kosovë në muajin shkurt kishte transmetuar hulumtimin rreth dyshimeve për keqpërdorime në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Jeta në Kosovë kishte intervistuar të gjitha palët e përfshira. Po ashtu ishte publikuar letra e ashpër e dy ambasadoreve asaj të Zvicrës dhe Gjermanisë që i kishin dërguar kryeministrit Isa Mustafa për shqetësimet rreth shkarkimit të menaxhmentit në ujësjellës dhe rikthimit të menaxhmentit të vjetër, që ishte shkarkuar më parë.

Pas kësaj ka pasus zhvillime të reja. Bordi ka shkarkuar dy njerëzit kryesorë të kësaj kompanie Gjelosh Vataj e Selatin Retkoceri, vendim për të cilin këtë dy të fundit nuk janë pajtuar. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ende nuk na ka kthyer përgjigje të re sa i përket letrës së dy ambasadoreve.

Për të gjeturat e emisionit tonë ekipet tona kanë njoftuar kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezin. Ky i fundit njoftim tonë e ka dërguar tek prokuroria themelore në Prishtinë e cila fatkeqësisht deri më sot nuk na ka njoftuar për hetime apo veprime konkrete.

Lufta për Ujë