Grupi i Deputetëve Gjen Rreth 200 Punëtorë me Kontratë mbi Vepër në RTK

Grupi punues i caktuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) thotë se ka gjetur 200 kontrata mbi vepër apo kontrata për shërbime të veçanta për të cilat nuk ishte në dijeni as bordi i RTK-së.

Anëtarja e këtij komisioni, deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, e cila ishte caktuar në grupin punues për bashkëpunim me RTK-në lidhur me hartimin e shpenzimeve për tre mujorin e fundit paraqiti të gjeturat para komisioni me konstatimin se RTK-ja ka probleme me listën e pagave si dhe numëron 200 të punësuar me kontrata mbi vepër

“Ne si komision në këtë takim kemi kërku listën e pagave, listën e kontratave dhe aneks kontratave si dhe listën e kontratave për shërbime të veçanta apo kontratat mbi vepër, atë ditë nuk nuk na është ofruar asnjë informatë. Më vjen keq që as bordi nuk i ka pasur ato informata asnjëherë. Në takimin e dytë bordi ka sjellë listat vetëm me emra e mbiemra por jo pagën sa e kanë. Kemi pasur raportin diku me 743 të punësuar, kur ka ardhë lista na ka ardhë me 729 punëtorë të rregullt jo aq sa kanë qenë në raport, por kemi gjetur afërsisht 200 punëtorë që janë me kontratë mbi vepër”, tha Gaxherri.

Gaxherri më tej theksoi se duhet të kërkohet përgjegjësi nga bordi, sepse sipas saj në RTK ka shumë probleme por një çështje që ajo theksoi ishte se vet bordi ishte ankuar se Drejtori i RTK-së nuk ua dorëzon atyre listat e pagave të punëtorëve.

Anëtari tjetër deputeti Enver Hoti i cili gjithashtu ishte në grup punues, tha se gjendja në RTK aspak nuk ishte e mirë dhe “në një institucion ku drejtori ekzekutiv nuk i përgjigjet bordit, atë person e përkrah politika”.

“Ne jemi takuar me bordin dhe disa drejtorë të RTK-së dhe duhet konstatuar se gjendja nuk është aspak e mirë. Ne kemi parë edhe diçka tjetër aty që bordi drejtues është aty vetëm sa për të qenë, sepse as ndaj tyre nuk përgjigjet menaxhmenti i RTK-së. Njëri anëtar i bordit ka deklaruar se nga shkurti ka kërkuar qasje në listat e punëtorëve e atij jo vetëm që nuk iu ka dhënë lista por përkundrazi është akuzuar se ka tendenca për ndërhyrjen në punën e pavarur të RTK-së. Kjo është një gjendje shumë e keqe e në një institucion ku kalohet mbi 6 milionë euro vetëm për paga kjo nuk është punë e mirë as për neve. Kur një drejtor ekzekutiv nuk i përgjigjet as bordit dikush e mbron atë njeri atje. Sigurisht është politika”, tha Hoti.

Në fund të mbledhjes u diskutua se me kërkesën e kryesisë së kuvendit e cila është aprovuar do të bëhet komisioni hetimor për çështjen e shpenzimeve të RTK-së, ndërsa rekomandimet do të paraqiten në mbledhjen e radhës në komision.