Gruevski e quan ‘mashtrim’ marrëveshjen e emrit Greqi-Maqedoni

Ish-kryeministri Nikola Gruevski ka kritikuar pasardhësinë e tij në lidhje me marrëveshjen e arritur së fundmi me Greqinë, duke e akuzuar Zoran Zaevin se ka mashtruar vendin e tij.

 

Ish-kryeministri maqedonas dhe ish-kryetari i partisë VMRO DPMNE Nikola Gruevski ka dënuar marrëveshjen që pasardhësi i tij arriti me Greqinë mbi emrin e vendit, duke thënë për televizionin serb TV Pink të dielën se Zoran Zaev kishte “mashtruar ” popullin kur ai arriti marrëveshjen.

Nacionalistët në vend mbeten shumë kritikë ndaj marrëveshjes nën të cilën Maqedonia ndryshoi emrin e saj në Maqedonia e Veriut në këmbim të heqjes së vetos nga ana e Greqisë për anëtarësimin e fqinjit të saj në BE dhe NATO.

Gruevski tha se Zoran Zaev nuk ishte i sinqertë në synimet e tij. “Njerëzit ndihen të mashtruar. Në tubime, Zaev thoshte se nuk ka asnjë shans për të ndryshuar emrin e Maqedonisë. Madje ai u betua për fëmijët e tij në disa dalje. Ky është një mashtrim i madh,” tha Gruevski.

Sipas TV Pink, Gruevski tha se politikanët grekë kishin parë një “rast që vjen një herë në njëqind vjet” dhe e kishin marrë atë për të detyruar një marrëveshje të pafavorshme me Maqedoninë.

“Ka një pjesë të marrëveshjes që thotë se gjithë historia antike është ekskluzivisht e lidhur me Greqinë dhe se pala tjetër, që do të thotë ne, nuk ka të bëjë fare me të,” tha ai, duke iu referuar betejës së qeverisë së tij me Greqinë mbi historinë dhe personazhet historike që Greqia pretendon se janë pronë kulturore helene.

Gruevski tha gjithashtu për televizionin pro-qeveritar serb se Serbia nuk ishte përfshirë në vendimin e tij për të ikur nga Maqedonia për të shmangur kryerjen e një dënimi me burg për akuzat për korrupsion.

“Nga Tirana, përmes Malit të Zi dhe Serbisë, mbërrita në Hungari. Transporti u sigurua nga diplomatët hungarezë, gjë e cila tashmë dihet,” tha ish-lideri maqedonas, duke akuzuar Partinë Social Demokrate të Maqedonisë, SDSM, për persekutim politik.

Pasi gjykata e gjeti Gruevskin fajtor për blerjen e paligjshme të një limuzine luksoze, ai duhet të paraqitej që të fillonte të vuante dënimin e tij me dy vjet burg më 9 nëntor 2018, por nuk e bëri këtë.

Ai u arratis në Shqipërinë fqinjë dhe më pas mbërriti në Hungari, e cila i ka dhënë atij azil.

Gruevski ishte kryeministër i Maqedonisë nga viti 2006 deri në 2016. Partia e tij VMRO DPMNE u rrëzua nga pushteti në vitin 2017 pas një krize të zgjatur politike në të cilën ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u akuzuan për sundim autoritar dhe korrupsion.

Disa raste të tjera gjyqësore dhe hetime kundër Gruevskit po vazhdojnë në Maqedoni.