Gruaja dhe Prona- Pranë Shtëpive, të Pastreha

Emisioni i fundit i “Drejtësia në Kosovë” tregoi për vështirësitë me të cilat po vazhdon të përballet gruaja kosovare në realizimin një prej të drejtave themelore të saj, atë të trashëgimisë në pasurinë e përbashkët familjare.

Hulumtimi disajavor tregoi se në mungesë të vendeve të sigurta për t`u strehuar, vetëm  gjatë vitit 2015 në qendrat për strehim sipas të dhënave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale janë strehuar 224 gra dhe 169 fëmijë.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, një grua 70 vjeçare ka kontribuar shumë për pasurinë e përbashkët dhe asnjëherë nuk e kishte menduar që pleqërinë do e kalonte në strehimore.

Ajo ka pranuar të flasë, por pa ia përmendur emrin dhe prejardhjen pasi druan nga “turpi”.

Pas një konflikti që kishte pasur me burrin dhe djalin e saj, ajo ka përfunduar në strehimore.

Ajo tregon si ka dalë nga shtëpia vetëm me rrobet e trupit edhe pse mbi 40 vite ka kontribuar në krijimin e pasurisë së përbashkët familjare.

“Në qershor bëhen dy vjet që kur iu kam drejtuar gjykatës, por asnjë hap s’ka lëvizur përveç divorcit që është kryer. Edhe aktvendimin ende se kam marrë, ndoshta më ka shku në adresën ku kam jetuar”, thotë ajo.

Vonesa në zgjidhjen e rastit të saj nga ana e Gjykatës për t`ia ndarë pasurinë me tani ish-burrin, mund ta lë në rrugë nënën 70 vjeçare.

Ajo tregon se i kanë mbetur edhe disa javë kohë për të qëndruar në qendrën strehimore, pasiqë aty sipas ligjit ka të drejtë të qëndrojë gjashtë muaj, maksimun një vit.

“S`kam ku me shku, nuk e di çka do të bëj nëse ata nuk e zgjidhin këtë rast, këtë problem. Njerëzit e moshuar duhet me pas pak parasysh e jo me i shku strikt ashtu radhës, mirëpo duhet shikuar pak edhe moshën. Çka nëse personi vdes, e dhe atëherë çka i thonë asaj, si do ta ndijnë veten ata të cilëve iu kam drejtuar për ndihmë”, thotë ajo.

Hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë” tregoi se shumë gratë viktima të dhunës  në mungesë të një strehimi të sigurt shpesh detyrohen të riviktimizohen.

Fatin e tillë e kishte Hajrie Aliu nga Podujeva, një nënë e re, e cila pas rrahjeve që kishte përjetuar nga burri i saj, ishte larguar disa herë nga shtëpia.

Ajo ishte strehuar nëpër qendra strehimore, por kishte qenë e detyruar që sërish te kthehej te bashkëshorti dhunues, pasi që nuk kishte se ku të shkojë.

“Në strehimore në Gjakovë kam qëndruar një muaj, së fundmi në Prishtinë kam qëndruar 8 muaj.  S`kisha ku me shku, u kthejsha prapë në strehimore sepse burri ushtronte dhunë. Edhe në fund bashkë më djalin kam shku me qera, por jam detyru me e qu te baba i vet sepse s’kisha as bukë mi dhanë, as strehim”, thotë ajo.

Problemet me ndarjen e pasurisë dhe pamundësia për krijimin e një baze materiale për jetën pas ndarjes janë ndër arsyet pse shumë viktima të dhunës në familje kanë pranuar të riviktimizohen.

Në qendrat për mbrojtjen e viktimave ka shumë raste kur nuk kanë ku t`i dërgojnë gratë viktima të dhunës në familje.

Adile Shaqiri nga Ministria e Mirëqenies Sociale, ka deklaruar për “Drejtësia në Kosovë” se kanë raste kur viktimat edhe pasi dalin pas një viti sërish kërkojnë ndihmë për strehim.

“Edhe mënyra ku nuk ka se ku të kthehet është një formë e dhunës, ose mënyra kur i ndalohet që të kthehet në familjen ku ka ndodhur incidenti i dhunës, apo në familjen biologjike te prindërit nuk e pranojnë edhe kjo është një formë e ripërsëritur e dhunës”, ka deklaruar Adile Shaqiri.

Sipas saj, strehimi nëpër qendrat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje nuk është zgjidhje idelae por është shërbim alternativ i cili maksimum mund të zgjasë një vit dhe ka për synim largimin e viktimës nga vatra ku ka ndodhur dhuna.

Por nuk janë të vetmet viktimat e dhunës që privohen nga të drejtat e tyre në pasurinë e trashëguar.

Rabishe Mazreku nga Malisheva, në një kontest me kunatin e saj i është dashur të pres me vite derisa Gjykata Themelore në Malishevë t`ia ndajë pasurinë e trashëguar nga burri.

Rrëfimi i saj i transmetuar në “Drejtësia në Kosovë” tregoi një anë të hidhur të jetës së familjes pa pronën e trashëguar.

Historia e Rabishes tregon për proceset gjyqësore maratonike të cilat zgjasin 5 deri në 10 vjet gjatë të cilës gratë duhet të jetojnë e të mbajnë familjet pa i gëzuar të drejtat e pronës.

“Unë veç pjesën time po e lypi, nuk po lypi pasuri të kërkujt. Një copë-një copë, por timen po e dua, me dit se ku e kam pasurinë time. Po tutna po vdes dhe s’po kryhet kjo punë”, kishte thënë ajo për emisionin “Drejtësia në Kosovë” në muajin tetor 2014.

Pas transmetimit të emisionit ajo kishte arritur të hyjë në pronat e saj të trashëguara nga bashkëshorti.

Histori të ngjashme pritje ka edhe Shyhrete Berisha nga Suhareka.

Gruaja e cila humbi fëmijët dhe burrin e saj më 23 mars të vitit 1999 në masakrën e forcave serbe ndaj familjes së saj në Suharekës krahas dhimbjeve është duke zhvilluar një betejë ligjore me kunatin e saj.

Kjo betejë zgjatë hiç më pak se 15 vite dhe përkundër presionit publik kundër zvarritjes së lëndës, gjykata ende nuk e ka marrë vendimin e saj.

Avokati i saj, Naim Qelaj, thotë se ligji për trashëgiminë duhet urgjentisht të ndryshohet, pasiqë si i tillë femrën e trajton “vetëm si makinë riprodhuese, vetëm për të lindur fëmijë”.

“Ka nevojë që ligjet me u draftu, problem është tek ligji mbi trashëgiminë i cili nuk e trajton femrën në mënyrë të barabartë. Në fakt sipas atij ligji femra është vetëm një makinë riprodhuese dhe nëse nuk lind fëmijë, me njëfarë mënyre ose nuk ka fëmijë e humb të drejtën e saj në trashëgimi. Kjo duhet të rregullohet, ngase paraqet një anomali ligjore dhe është në kundërshtim edhe me Kushtetutën tonë edhe me te konventat evropiane edhe me të drejtat e njeriut”, ka deklaruar Naim Qelaj, avokat i Shyhrete Berishës.

Siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, për pritjet maratonike të grave në gjykata janë në dijeni edhe drejtuesit e sistemit gjyqësor.

Megjithatë zgjidhjet konkrete ende mungojnë, ndërsa nuk premtohen zgjidhje afatgjata.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, e pranon se nuk kanë menduar për rastet kur viktimat e dhunës mbesin rrugëve derisa gjykata t`ua ndajë pasurinë që sipas ligjit u takon.

“Nuk kemi ndonjë strategji apo ndonjë vendim të Këshillit Gjyqësor, sa i përket qasjes ndaj dhunës në familje në raport me çështjet pronësore, është një çështje e ndarë prej dhunës. Kështu që ndoshta duhet me mendu në të ardhmen në kuptimin e adresimit që këto çështje me i prioritizu. Për shkak se këto çështje të ndarjes së pasurisë apo trashëgimisë, ndoshta kishte me qenë etike edhe e nevojshme që edhe këto raste me i trajtu”, ka deklaruar Enver Peci, kryesues  KGjK-së.