Gropat e Shpend Ahmetit - VIDEO

Qytetarët e Prishtinës çdo ditë përballen me gropat e shumta nëpër rrugët e kryeqytetit.

Tash në muajt e verës, kur vizitat në kryeqytetin kosovar shpeshtohen, rrugët e prishura po dalin të jenë një problem mjaft serioz.

Sipas një raporti të publikuar në ueb-faqen e komunës “Prishtina Online”, komuna e Prishtinës për tre mujorin e parë të  vitit 2019, për infrastrukturë publike ka shpenzuar rreth 216 mijë euro në total, ku 146 mijë përfshihen shpenzime kapitale, 49 mijë paga dhe mëditje, 14 mijë euro mallra dhe shërbime dhe 7 mijë euro shpenzime komunale.

Ndërsa ka planifikuar të shpenzojë rreth 16 milionë euro për vitin 2019 në infrastrukturë publike, sipas buxhetit të miratuar për vitin 2019.

Me 25 prill komuna e Prishtinës kishte njoftuar se ka filluar procesi i prokurimit për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në lagjet Taslixhe, Kolovicë, Qendresa dhe Përroi i Njelmët.

Kurse konkretisht për sanimin e gropave dhe deformimeve të shtresave të asfaltit në rrugë dhe trotuaret e qytetit, komuna ka ndarë  536 mijë euro për vitin 2019.

Me gjithë këto planifikime dhe buxhet të ndarë për rrugët në vitin 2019, pamjet tregojnë se Prishtina si kryeqytet i Kosovës vuan mjaft shumë nga komunikacioni i dendur, ku një nga shkaktarët vazhdojnë të mbesin edhe gropat.