Foto: Kallxo.com

Greva shkakton konfuzion, ish-avokati mungon në gjykimin ndaj tij

Në gjykimin e ish-avokatit Haxhi Çekaj i cili po akuzohet për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, seanca e planifikuar të mbahej në këtë rast u shty për shkak se munguan vetë i akuzuari dhe mbrojtësi i tij.

E pranishme në sallë të gjykatës ishte e dëmtuara Mirjeta Imeraj, ndërsa munguan i akuzuari Haxhi Çekaj dhe avokati i tij, Besnik Berisha.

Për mungesën e të akuzuarit Haxhi Çekaj si dhe mbrojtësit të tij Besnik Berisha, Kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj tha se është informuar pak minuta para se të hynte në sallë.

“Para se të hyja në seancë kam pranuar një email nga avokati Besnik Berisha se për arsye të grevës së administratës së Gjykatës nuk do të jenë të pranishëm në Gjykatë”, tha kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj.

Ajo tha se edhe pse administrata e Gjykatës është në grevë është marrë vendim që të gjitha lëndët të cilat janë të shënjestruara për liberalizim të vizave të mbahen, dhe se për këtë vendim avokati Berisha dhe i akuzuari Haxhi Çekaj janë njoftuar në po të njëjtën email.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor seanca është shtyer për datën 12 korrik.

Ky gjykim është në mesin e rasteve të cilat janë të shënjestruara për liberalizim të vizave.

https://kallxo.com/mungon-i-akuzuari-shtyhet-gjykimi-i-shenjestruar-per-liberalizim-te-vizave/

Sipas aktakuzës, i pandehuri Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën M.I., nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Çekaj ishte arrestuar gjatë pauzës së një seance në Pejë, dy muaj më parë.

Sipas aktakuzës, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B, babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

Dëmi i shkaktuar të dëmtuarës tejkalon shumën prej 50 mijë eurove.

BIRN dhe Internews Kosova kanë publikuar një raport për rastet gjyqësore nga zgjidhja e të cilave varet liberalizimi i vizave.