Foto: Kallxo.com (arkiv)

Greva paralizon shërbimet postare në Kosovë

Asnjë shërbim nuk ka mundur të realizohet të hënën në Postën e Kosovës për shkak se punëtorët e të gjitha filialeve në tërë terrorin e Kosovës të kësaj kompanie kanë hyrë në grevë.

Ndarja e pagave me kohë është vetëm një nga kërkesat e punëtorëve.

Kryetari i Sindikatës së Postës, Etrit Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo grevë është vetëm një hap sindikal që do të pasohet me veprime tjera deri në realizimin e plotë të kërkesave.

“Sot ka filluar greva e përgjithshme e punëtorëve të Postës së Kosovës me kërkesa të qarta. E para është realizimi i pagave për të gjithë punonjësit e Postës. Edhe pse data 10 shtator asnjë pagë nuk është ekzekutuar. E dyta kërkesë është që të kemi një marrëveshje më shkrim në mënyrë që pagat të mos vonohen asnjëherë për punëtorët”, thotë Hoti.

Greva e punëtorëve të Postës së Kosovës po zhvillohet për të dytën herë me radhë, pasi të njëjtën e kanë mbajtur në korrik, por që ishin tërhequr, siç thotë Hoti, pas premtimeve që kishin marrë nga ekzekutivi.

“Në korrik ishte situata përafërsisht e njëjtë për të cilën ne hynim në grevë, por ne atë kohë morëm premtime nga institucionet i cili faktikisht premtuan rimbursimin e shërbimit universal postar ku ligji parasheh që qeveria duhet ta rimburësojë këtë humbje. Atëherë morëm zotime se humbjet nga ky shërbim që brenda 4 viteve janë deri në 4 milionë do të mbulohen, por që deri më tani ky zotim nuk është përmbushur”, shton Hoti.

Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë zgjidhje të shpejtë për Postën e Kosovës, por që siç thonë ata janë duke i shqyrtuar mundësitë e zgjidhjes së këtij problemi.

Këshilltari për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosmenaxhimi si duhet i Postës së Kosovës ka sjellë këtë kompani në këtë gjendje.

“Ne e dimë që Posta është një ndërmarrje publike e cila pas ndarjes me Telekomin i ka disa vështirësi që reflektohen në punën e saj. Këtu janë disa probleme të akumuluara me kohë dhe deri tani është vlerësuar se ka probleme me keqmenaxhim me punësime të cilat e kanë sjell këtë kompani në situatë jo të favorshme”.

“Kërkesat e punëtorëve të marrin me kohë pagat është e arsyeshme po ashtu e arsyeshme është dhe të ju kompensohen disa shpenzime, por duhet të shikohet shuma që është dashur të kompensohet”, thotë Shatri.

Greva e punëtorëve në Postën e Kosovës po shpërfaq gjendjen e rëndë financiare të kësaj kompanie publike. Një gjendje e tillë në këtë kompani, sipas organizatorëve të grevës, ka ardhur si pasojë e mosrealizimit të obligimeve të Qeverisë dhe institucioneve tjera ndaj Postës së Kosovës.

Telekomi i Kosovës, kompani kjo e cila tani e sa kohë ka krizë financiare ka pasur vështirësi edhe në pagesat me kohë ndaj Postës së Kosovës, në anën tjetër Posta e Kosovës të hyrat kryesore i ka nga qiraja që i merr nga Telekomi.

Të hyrat e Postës së Kosovës për vitin 2017 kanë qenë mbi 11 milionë euro.

Ndryshe, Posta e Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, mirëpo në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, Posta u nda nga Telekomi dhe u themelua si Ndërmarrje Publike Qendrore.