Shukri Buja në gjykatë (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Greva pamundëson mbajtjen e seancës ndaj Shukri Bujës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritej që të vazhdonte seanca gjyqësore ndaj ish-kryetarit të komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Por për shkak se punëtoret e administratës së Gjykatave dhe Prokurorive kanë hyrë në grevë, Shukri Buja dhe të akuzuarit e tjerë së bashku me mbrojtësit e tyre nuk janë lënë që të hynë në hapësirat e Gjykatës.

Kjo ka bërë që Buja së bashku me të akuzuarit e tjerë të presin për disa minuta jashtë objektit e më pas meqë greva po vazhdon ata janë larguar.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Buja po akuzohet nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.

Bashkë me Bujën të akuzuar në këtë rast janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Tre nga këta të akuzuar në kohën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë në komunën e Lipjanit.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë Prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm komunës së Lipjanit.

Më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet. KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi rastin ndaj Shukri Bujës dhe raportimet nga ky proces mund t’i gjeni në këtë link.

https://kallxo.com/shukri-buja-deklarohet-pafajshem/

Vendimi i punëtorëve të gjykatave dhe prokurive për të hyrë në grevë vjen pak javë pasi qeveria ka marrë një vendim për rritjen e pagave deri në 100 % për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë.

Me këtë vendim përfitojnë edhe gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës meqë ligji në Kosovë përcakton rrogën e një gjyqtari dhe prokurori sa të një ministri.

Punëtorët e gjykatave dhe prokurorive në grevë. Foto: Kallxo.com

Naim Shala, kryetar i Këshillit Grevist në Prishtinë tha se greva e nisur sot nuk do të ndërpritet.

“Greva do të zgjatë deri sa të plotësohet kërkesa jonë që e kemi një kërkesë të vetme ngritja e të ardhurave personale në shkallën 100% për të gjithë stafin administrativ të gjykatave dhe prokurorive, pasi që një gjë e tillë ka ndodhur për kabinetin qeveritar zyrtarët tjerë publikë, gjyqtarët dhe prokurorët”, tha Shala për KALLXO.com.

Për shkak të grevës së administratës, të mërkurën asnjë palë nuk është duke u lënë që të hyjë në gjykatë apo në prokurori.

Punëtorët e sigurimit për KALLXO.com kanë thënë se nuk e dinë se sa do të zgjasë greva por që momentalisht u është thënë që të mos lënë asnjë palë që të hyjë brenda për shkak së punëtoret e administratës janë në grevë.

Kërkesa e grevistëve është rritja e pagave për 100%, për rreth 2 mijë punëtoret e administratës dhe rregullimi i statusit të tyre.

Punëtorët e gjykatave dhe prokurorive në grevë. Foto: Kallxo.com