Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Greva e avokatëve, dhjetëra seanca të anuluara e të shtyra në Gjykatën e Prishtinës

Rreth 40 seanca janë anuluar e 30 janë shtyrë sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës si pasojë e bojkotit të përgjithshëm të avokatëve.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës për bojkotimin e seancave gjyqësore deri në rishikimin e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës  në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë anuluar rreth 40 seanca gjyqësore, prej tyre 30 nuk janë mbajtur për arsye të mos paraqitjes së avokatëve në seanca…”, tha për KALLXO.com zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Ndër të tjera Gashi shtoi se gjatë ditës së sotme në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës janë mbajtur vetëm 30 seanca gjyqësore për të cilat me gjasë nuk ka qenë e domosdoshme mbrojtja.

“Derisa sipas informatave që kemi pranuar nga gjyqtarët sot me datën 09.01.2019 janë mbajtur gjithsej rreth 30 seanca gjyqësore”, tha Mirlinda Gashi.

Avokatët e Kosovës që nga sot kanë nisur një bojkot të përgjithshëm.

Kështu ka njoftuar Oda e Avokatëve të Kosovës.

Sipas OAK, bojkoti i përgjithshëm që nis të mërkurën do të vlejë për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe Policinë në tërë territorin e Kosovës.

Vendimi për bojkot erdhi pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nëpërmjet një e-maili dërguar të gjithë kryetarëve të Gjykatave Themelore të Kosovës, si dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme u ka dhënë urdhër që të aplikojnë urdhrin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit për kufizimin e qasjes së avokatëve në objektet e gjykatave duke u sugjeruar edhe gjykatave të tjera të Kosovës ta zbatojnë këtë vendim.

“Urdhërohen punëtorët e sigurimit dhe recepsionistja që të mos lejojnë hyrjen e avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës, pa ftesa ose leje gojore të kryetarit të gjykatës, gjyqtarit, me përjashtim në zyrën e dorëzimit të shkresave”, thuhet në urdhrin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ky urdhër me këtë përmbajtje, sipas kërkesës së ushtruesit të detyrës së Prokurorit Disiplinor, Arianit Salihu,  është shqyrtuar edhe nga Komisioni për Administrimin e Gjykatave që kanë nxjerrë një memo informuese për Këshillin Gjyqësor të Kosovës të cilët në mbledhjen e fundit këtij viti,  të datës 27 dhjetor 2018, kanë gjetur që ky vendim është i drejtë dhe kanë rekomanduar të aplikohet edhe në gjykatat tjera.

https://kallxo.com/avokatet-ne-bojkot-te-pergjithshem-kunder-vendimit-te-kgjk-se/

Gjatë ditës së sotme Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar ndaj grevës së avokatëve të Kosovës lidhur me urdhëresën e gjykatave që këtyre të fundit dhe palëve tjera t’iu kufizohet qasja në objektet e gjykatës pa leje paraprake.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një komunikatë thanë se vendosja e një regjimi të kufizuar të qasjes në objektet e Gjykatave nuk përbën një masë kufizuese të pa-arsyeshme, jo-proporcionale dhe diskriminuese, që pengon qasjen e avokatëve mbrojtës në Gjykata.

Ata shtuan se është e vetëkuptueshme, që masa kufizuese nuk vlen për zyrat apo hapësirat tjera të Gjykatave ku bëhet dorëzimi i shkresave dhe parashtresave gjyqësore.

https://kallxo.com/kgjk-i-reagon-avokateve-duam-te-vendosim-rend-shtepiak-ne-gjykata/

www.kallxo.com