Jave e Ndërmarrësisë. Foto: Kallxo.com

Greg Delawie: Gjeni Mënyra për ta Luftuar Korrupsionin!

Përkrahja e Qeverisë dhe gjyqësorit për një klimë më të favorshme për zhvillim ekonomik, luftimin e korrupsionit, investimin në arsim, lëvizjen e lirë e të rinjve në tregjet tjera janë disa nga porositë ne konferencën e javës së ndërmarrësisë në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se për të ecur ekonomia duhet të ecin bashkë ndërmarrësia dhe Qeveria

“Ecja e Kosovës është ecja e njerëzve, nëse njerëzit ecin, ecim edhe ne me rend e ligj. Kosova po e ndjen nevojën t’i përcjellë trendet e ekonomisë. Për të qenë një ndërmarrës i suksesshëm buron nga individi me ndërmarrë diçka, njerëzit me shpirt ndërmarrës në fillim duken të krisur po me kalimin e kohës ata korrin sukses. Qeveria e Kosovës dëshiron me qenë me ju si partner, ekzekutivi ka plot mundësi me ecë me juve, ekzekutivi duhet të jetë në hap me ju që ju të keni partnerë, dëshira ime është të mos ecni vetëm po të jemi dy ju dhe Qeveria”, tha Haradinaj.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, theksoi se Kosova ka ecur pozitivisht në përmirësimin e klimës së të bërit biznes me porosinë për ndërmarrësit ta luftojnë korrupsionin.

“Shihet se interesimi juaj për zhvillimin e ndërmarrësisë konsiston me raportin Doing Business 2018, kalimi nga vendi i 60 në 40 tregon për përmirësimin e juaj dhe tregon se jeni në rrugën e duhur. Shoh te ndërmarrësit e rinj për të arritur tregjet globale kjo tregon se ka përmirësim në llogaridhënie dhe transparencë. USAID-i vazhdimisht i mbështet ndërmarrjet e vogla, 620 milionë janë dhëne për mbulimin e 577 kredive për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, tani jemi në përpjekje për zbatimin e gjyqësorit”, tha ambasadori Delawie.

“Korrupsioni zbeh zhvillimin e ekonomisë së Kosovës andaj duhet luftuar. Gjeni mënyra ta luftojmë atë, korrupsioni fshihet ne errësirë, zbardheni, ikni favoreve të fshehta, gjithashtu duhet të bëjmë më shumë për punësimin e grave dhe komuniteteve, t’u ndihmojmë grave për një pozitë më të mirë në ekonomi, ngriteni zërin rrezikoni, ne ju mbështesim në imagjinatën tuaj për biznese, ndërmarrësia është shprehje e optimizmit”, tha Delawie.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane theksoi se investimi në arsim dhe lëvizja e lirë ë të rinjve krijon zhvillim më të madh të ndërmarrësisë.

“Tani në Odën Amerikane kemi 40 partnerë ku zhvillojmë aktivitetet të ndryshme në Javën e Ndërrmarrësisë. Roli i qeverisë është i rëndësishëm, presim prej qeverisë ngritje në cilësi të arsimit, të bëhet mundësimi e lëvizjes së lirë të të rinjve që të marrin ide te reja nga tregjet tjera. Shteti duhet të jetë shtytës i bizneseve të reja”, tha Zeka.