Gratë që lindin në QKMF të Suharekës do të subvencionohen me 250 euro

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka njoftuar që sot asamblistët e kësaj komune e votuan vendimin që gratë/nënat që lindin fëmijë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, për çdo lindje të fëmijës do të subvencionohen me nga 250 euro.

Muharremaj përmes një statusi në Facebook, tha se ky është vendim me rëndësi të madhe për qytetarët e Komunës së Suharekës.

“Me këtë vendim Gratë-Nënat që lindin fëmijë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, për çdo lindje të fëmijës do të subvencionohen me nga 250 euro, mjete financiare. Dua t’i falënderoj asamblistët që e votuan dhe e mbështetën iniciativën e tillë, e cila i ndihmon sadopak familjet në mirëqenien ekonomike”, ka shkruar Muharremaj.