Lansimi i platformës për fuqizimin ekonomik të grave | Foto: KALLXO.com

Gratë me Platformë Biznesi për Fuqizim Ekonomik

I promovuar sot në Prishtinë, Udhëzuesi për Biznese – Fuqizimi Ekonomik i Gruas (WWE) është një platformë online e zhvilluar posaçërisht për të paraqitur bizneset në Kosovë të cilat janë në pronësi apo në bashkëpronësi të grave.

Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë tha se dy vjetët e fundit është rritur numri i grave ndërmarrëse.

“Është rritë dy vitet e fundit më shumë se çdo herë tjetër dhe po besojmë që kjo është rezultat i përmirësimit të politikave që i kemi ndërmarrë përmes ndryshimit të politikave fiskale, shkurtimit të burokracisë, draftimit të legjislacionit,” tha ministrja Bajrami gjatë promovimit të platformës.

Bajrami tha se platforma do t’i furnizojë me informata të dobishme gratë ndërmarrëse, por edhe ato që synojnë të hapin biznese në të ardhmen.

“Përmes kësaj platforme besoj që do të jemi të informuar për gjithçka që ndodh dhe besoj që sot posedimi i informatës është një nga resurset më të rëndësishme që kemi. Shpeshherë ngjarje të ndryshme na ikin për shkak të mungesës së informacionit,” shtoi Bajrami.

Sigrid Meijer, drejtoreshë e “Swisscontact” në Kosovë dhe menaxhere e projektit “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” (PPSE), tha se në vendet ku barazia gjinore është më e avancuar normalisht edhe Bruto Produkti Vendor  (GDP) është më i lartë dhe përformanca ekonomike e bizneseve është më e mirë.

“Janë bërë disa studime që e provojnë që bizneset performojnë më mirë nëse kanë diversitet më të madh të punonjësve dhe nëse ka më shumë femra në bord.‘Të drejtat e barabarta u nevojiten bizneseve’ është një thënie që vjen nga Strategjia Gjinore e Sekretariatit të Shtetit për Çështjet Ekonomike në Zvicër (SECO)” tha Sigrid Meijer.

Gazmend Mejzini, drejtor i Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), sikurse ministrja Bajrami, tha se është shtuar numri i grave që themelojnë biznese.

“Në vitin 2015 kanë qenë 1950 gra pronare që në totalin e përgjithshëm prej 10.700 bizneseve sa janë regjistru, përfaqësohen me 19 për qind, kurse në vitin 2016, 2210 është numri që është më i madhi deri tash, kështu që kjo përqindje tash është ngritur në 21 për qind, është një përqindje relativisht e mirë, inkurajuese,” tha Mejzini.

Në dhjetor të vitit të kaluar edhe Agjencia e Statistikave konstatoi se numri i bizneseve të drejtuara nga gratë është rritur.

http://kallxo.com/vetem-5-per-qind-te-grave-kane-prone/

Platforma me biznese të drejtuara nga gratë ofron mundësi kërkimi në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Përdoruesit mund të bëjnë kërkime për biznese të grave duke zgjedhur emrin e biznesit, vendin dhe kategorinë e caktuar.

Kjo platformë është e nevojshme sepse prania e bizneseve të grave në mënyrë elektronike në një domen të vetëm, mundëson promovimin më të mirë të tyre dhe zgjeron angazhimin me biznese, klientë, investitorë dhe ofron mundësi për programe mbështetëse dhe këshilldhënëse për ato biznese.

Përmes kësaj platforme, gratë mund të njoftohen me ftesat më të fundit për të aplikuar për grante dhe tenderë.

Në menynë e kësaj platforme gjendet edhe kalendari i ngjarjeve i cili ofron informata për të gjitha gratë në Kosovë, duke paraqitur datat përkatëse për të gjitha ngjarjet dhe mundësitë e ndryshme.

Udhëzuesi për Biznese për Fuqizimin Ekonomik të Grave do të paraqes gra të ndryshme si modele për t’u ndjekur. Ato do ta përçojnë porosinë se përkundër pengesave kulturore, financiare dhe institucionale, përmes arsimimit, përkushtimit dhe vizionit të qartë, çdo grua, në çdo pjesë të Kosovës mund të arrijë fuqizimin e saj ekonomik.

Kjo platformë është dizajnuar dhe zhvilluar nga Agjencia Red Mill, në bashkëpunim me Swisscontact – Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat dhe Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi për ndërmarrjen “Gratë e Veja të Krushës” që veprimtarinë e vet e zhvillon në hapësira me qira.

http://kallxo.com/grate-e-krushes-ende-ne-punetori-qira/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri