Gratë në Kosovë Ndihen më të Pasigurta se Burrat

Rezultatet e një vrojtimi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), gratë në Kosovë, në një përqindje të madhe ndjehen më të pasigurta se burrat.

Sipas vrojtimit, ndërsa perceptimi qytetarëve mbi nivelin e sigurisë është përmirësuar nga viti në vit, që nga viti 2012, për çdo vit, gratë rezultojnë se ndihen më pak të sigurta në krahasim me burrat.

Në vitin 2012, gratë ndiheshin 33 për qind të pasigurta krahasuar me 29 për qind të burrave. Në vitin 2013 kjo pasiguri u zvogëlua në 21 për qind tek gratë dhe 23 për qind tek burrat.

Zvogëlim kjo përqindje shënoi edhe në vitin 2014 ku 17 për qind e grave ndiheshin të pasigurta kundrejt 15 për qind të burrave. Ndërkaq, viti 2015 shënoi një përqindje të barabartë për pasigurinë e meshkujve dhe femrave në Kosovë, sa i takon klasifikimit “kryesisht [të] pasigurt”.

Por për të njëjtin vit, në klasifikimin “kryesisht të sigurt”, gratë renditen më pak se burrat në nivelin e 47 për qind të të intervistuarve, përkundër burrave që ndihen “përgjithësisht të sigurt” në nivelin 55 për qind.

Në këtë klasifikim, burrat janë ndjerë përherë më të sigurt se gratë për secilin vit, nga 2012 deri në 2015.

“Këto perceptime burojnë nga fakti se gratë, në shkallë shumë më të madhe se burrat kanë qenë viktima të ngacmimeve, llojeve të ndryshme të krimit, siç është vjedhja nga xhepi, si dhe forma tjera të cenimit të integritetit trupor në përgjithësi”, thuhet edicionin e fundit të QKSS.

Të dhënat për vitin 2012 tregojnë se gratë janë më të brengosura se sa burrat për sigurinë publike.

Rreth 33 për qind të grave e përceptuan sigurinë publike në Kosovë si të keqe, ndërsa 29 për qind e burrave e përceptuan në të njëjtën mënyrë. Sipas këtij raporti, kjo krijon një hendek të sigurisë mes gjinive prej të paktën 4 për qind të pikëve.