Gratë në komuna, sa u shkel Ligji i Barazisë Gjinore?

Pesë komuna të Kosovës do të përballen në gjykatë me padi për mosrespektimin e barazisë gjinore në përzgjedhjen e anëtarëve të dy komiteteve komunale.

Këto padi janë dorëzuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që po i monitoron komunat në vazhdimësi lidhur me respektimin e këtij ligji.

Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në MAPL tha se niveli i respektimit të barazisë gjinore në nivelin lokal mbetet i pakënaqshëm.

“Përveç që kemi një kornizë ligjore mjaft të avancuar sepse ka vendosur kuotat e përfaqësimit të barabartë gjinor edhe sa i përket reprezentimit në kuvendet e komunave edhe Ligjit për Barazi Gjinore që garanton një përfaqësim 50-50. Mund të them që realizimi i këtyre ligjeve në praktikë mbetet sfidues”, tha Ukimeraj.

Ajo shtoi se momentumi publik dhe mediatik lidhur me çështjen e barazisë gjinore ka ndihmuar në shtrirjen e kësaj praktike

“Jeta në Komunë në debatet televizive që i ka organizuar me të gjithë kandidatët për kryetarë ka pasur një pyetje shumë specifike lidhur me përfaësimin gjinor. Ne kemi adresuar një letër te të gjithë kryetarët e komunave, që të kenë në vëmendje përfaqësimin e barabartë gjinor”, tha Ukimeraj.

Sipas kësaj zyrtareje MAPL ka  vlerësuar në total 76 vendime për themelimin e komiteteve dhe nga to 31 akte vlerësohen se nuk kanë qenë në harmoni me ligjin.  Më pas kjo ministry ka dërguar kërkesat për rishqyrtim dhe  tani janë 6 akte dhe 5 komuna që nuk e kanë respektuar përfaqësimin e barabartë gjinor në këto komitete.

Emisionin  e plotë ‘Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: