Gratë Marshojnë në Prishtinë, në Solidaritet me Gratë në Uashington

Sipas uebfaqes të tyre zyrtare, Marshi i Grave në Uashington është një përpjekje qytetare për të qenë proaktiv për të drejtat e grave në administratën e re të Trump. Marshi do të zhvillohet të shtunën në 1:15 pasdite, një ditë pas inaugurimit të Presidentit Donald J. Trump.

Ngjarja synon të “çojë një mesazh të guximshëm administratës tonë të re në ditën e parë të tyre në pozitë, dhe botës që të drejtat e grave janë të drejta njerëzore.”

Sipas organizatorëve, marshe paralele do të zhvillohen në 616 qytete tjera në botë, duke përfshirë Prishtinën. Marshi, i organizuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, RrGGK, do të fillojë në 11:00 në sheshin Zahir Pajaziti.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës tha që marshi po organizohet sepse “një president i ri ka përdorur gjuhë ofenduese, raciste dhe mizogjiniste ndaj grupeve të margjinalizuara siç janë personat me ngjyrë, gratë, LGBTQIA, personat me aftësi të kufizuara etj.”

“Aktivistët e të drejtave të njeriu e kanë organizuar këtë marsh, me qëllim që ta rikujtojnë presidentin e ri që të jetë më i kujdesshëm gjatë mandatit të tij.”

Në një komunikatë për shtyp, RrGGK tha që ata po marshojnë për të dënuar përdorimin e gjuhës seksiste nga politikanët kosovarë, veçanërisht gjuhën ofenduese të përdorur së fundi ndaj Ministres së Drejtësisë Znj. Dhurata Hoxha dhe ndaj Zëvendëse Kryetares së Parlamentit të Republikës së Kosovës Znj. Aida Dërguti.

Ish-Avokati i Popullit i Kosovës Sami Kurteshi e quajti Ministren e Drejtësisë Dhurata Hoxhën një “lopë” dhe një “hienë që kultivon kurvëri politike”.

Berisha dhe shumë aktivistë të tjerë thonë që liderët dhe politikanët e Kosovës shpesh përdorin gjuhë seksiste ndaj grave në pozita udhëheqëse.

“Gjuha seksiste do të jetë një prej çështjeve që do të jetë në qendër të vëmendjes të këtij marshi,” tha Berisha.

Ajo shtoi që RrGGK thërret për ndalimin e dhunës ndaj grave, të respektohen të drejtat riprodhuese të grave, pagë e barabartë dhe mundësi e barabartë punësimi për gratë dhe burrat në Kosovë, të mbrohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuara si dhe të personave LGBTQIA, dhe të theksohet që të drejtat e grave janë të drejta të njeriut.

Berisha pret një pjesëmarrje të lartë pasi që më shumë se 200 persona kanë shpallur pjesëmarrjen e tyre në Facebook.

Qytete të tjera në botë që po organizojnë marshet e solidaritetit janë duke i organizuar ato kryesisht përballë konsullatave ose ambasadave amerikane. Por, marshi i solidaritetit i Prishtinës po organizohet në sheshin kryesor, dhe për një arsye shumë të fortë, thotë Berisha.

“Pasi që ne jemi duke adresuar problemet që i prekin gratë dhe grupet tjera të margjinalizuara që jetojnë në Kosovë, e kemi parë të udhës që edhe marshin ta bëjmë në shesh të kryeqytetit, duke e patur parasysh frekuentimin e madh të qytetarëve të cilët duam ti targetojmë përmes këtij marshi, por poashtu edhe ta drejtojmë protestën tonë tek liderët dhe politikanët tanë.”

RrGGK thërret të gjithë qytetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut, burra dhe gra, të marrin pjesë në këtë marsh për të drejtat e grave.