Para punëtorisë së kooperativës | Foto: Facebook

‘Gratë e Krushës’ Ende në Punëtori me Qira

“Gratë e Veja të Krushës” një kooperativë që prodhon hajvar dhe turshi, i paguajnë qira për depon dhe vendin ku zhvillojnë prodhimin “Punëtorisë Krusha” pasi veprojnë në pronë të saj.

Fahrije Hoti, drejtore e kësaj kooperative, thotë se mospasja e një prone për “Gratë e Veja të Krushës” është problemi më i madh me të cilin këto gra përballen.

“Ma e rëndësishme është ta bëjmë zgjidhjen e pronës, se në dy vendet ekzistuese që punojmë jemi me qira. Paguajmë qira ktu ku punojmë dhe për depon kryesore. Vetëm kjo është shtylla kryesore që jemi orientu na në zgjidhjen e pronës. Derisa ta zgjidhim pronën është gjynah me marrë donacione, me pru edhe pastaj m’i çmontu, me shku tjetërkah,” tha Hoti për KALLXO.com.

Drejtorja tregon edhe sa ka prodhuar kooperativa sivjet.

“Këtë vit kemi arritur me i konservu dikun rreth 15 mijë kavanoza hajvar. Dikun rreth 350 mijë kilogramë spec janë konservu në vitin 2016 dhe janë shpërnda nëpër tregun e Kosovës edhe në tregjet evropiane. Është punë me sfidë, është punë me sakrificë, por është punë për m’u lavdu që prodhohen mbi 100 mijë kilogramë turshi, tuj marrë parasysh statusin e grave, tuj marrë parasysh gjendjen ekonomike të grave, tuj marrë parasysh moshën e grave,” shpjegoi Hoti.

“Gratë e Veja të Krushës” prodhimet e tyre i eksportojnë në Zvicër.

“Kryesisht e kemi Zvicrën që punon me ne prej 2014-ës, domethënë është viti i tretë. Kemi marrëveshje edhe për dy vjet të tjera masandej kemi edhe kontratën. Kërkesat janë shumë të mëdhaja edhe është një punë shumë e mirë me u bo me eksportin. Në vitin 2016 e kemi bo edhe nji kontratë me tregun gjerman,” thotë drejtorja Fahrije Hoti.

Hoti ankohet se do të prodhonin më shumë, sikur specat të mos prekeshin nga sëmundja e antraknozës, një sëmundje që godet këto perime pak para pjekjes, ose kur ato ruhen nëpër depo, duke u shkaktuar kalbje të pjesshme rrethore.

“Na ka dëmtu në pjesën e hajvarit, ku ka pas lagështi shumë. Speci i hajvarit ka pasë shumë sëmundje edhe nuk kemi mujt me bo sasinë e hajvarit sa kërkohet ne treg. Kemi mujt për një periudhë shumë të shkurtë me i bo 15 mijë kilogramë dhe kanë  përfundu specat,” tha Hoti.

Punëtoria aktualisht ka 46 punëtorë, 25 nga të cilët janë aktivë, ndërsa 21 kryejnë vetëm punë sezonale.

Kjo kooperativë javën e kaluar është ndihmuar nga KIESA me një frigo-dhomë,  e cila shërben për të ruajtur specat e pjekur dhe të qëruar të hajvarit si dhe produktet me qumësht.

Në mars të vitit 1999 në Krushë u vranë 206 burra e djem, ndërsa mbi 600 jetimë mbetën nën kujdesin e grave të fshatit, të cilat më pas nisën të organizohen që nëpërmjet prodhimit ta sigurojnë ekzistencën dhe ta heqin mërzinë.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri