Gratë Deputete, qe 10 Vjet në Një Grup Parlamentar

Gratë që i nënshtrohen dhunës në familje janë inkurajuar sot nga përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe nga deputetet e Kuvendit të Kosovës që t’i raportojnë ato raste në polici.

Thirrja për t’i raportuar këto raste është bërë sot në një konferencë të organizuar nga Grupi i Grave Deputete dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë për ta shënuar një dekadë jetë të këtij grupi deputetesh.

Stephanie Lefeuvre, një zyrtare në misionin e OSBE-së, tha se institucionet e Kosovës nuk kanë dështuar vetëm në rastin e vrasjes së Zejnepe Bytyqit por edhe në raste të tjera.

Sipas saj, viktimat nuk duhet të ndjehen të dekurajuara, në rast se ushtrohet dhunë ndaj tyre, që të raportojnë në polici.

“Viktimat duhet të raportojnë në polici, nuk duhet të ndjehen të dekurajuara”, tha Lefeuvre.

Blerta Deliu, kryesuesja e këtij grupi tha se po bëhen përpjekje në përfshirjen e gruas në të gjitha sferat dhe sektorët.

“Ky përvjetor në radhë të parë ka karakter festiv dhe pune në përpjekje për përfshirjen e gruas në të gjitha sferat, sektorët dhe të gjitha nivelet ”, tha Deliu.

Ambasadori Jean Claude-Schlumberger, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, tha se ky mision ka bashkëpunuar me grupin e grave deputete në fuqizimin e gruas dhe barazisë gjinore në shoqëri.

“OSBE-ja ka bashkëpunuar me GGD, për të lansuar një katalog, për qasjen e gruas në pronë me qëllim që gratë të vetëdijesohen për të drejtat e tyre pronësore”, tha Schlumberger.

Në kuadër të kësaj dite, OSBE gjithashtu ka lansuar një fushatë dyjavore që përfshin TV dhe radio spote me qëllim të vetëdijesimit për të drejtat e grave në pronësi.

“Qëllimi i fushatës është që të shtojë vetëdijen e publikut, në veçanti grave, për të drejtat e tyre në pronë, me fokus në trashëgimi dhe pronën e përbashkët martesore,” tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.

“Për OSBE-në, është shqetësues fakti se vetëm rreth 8% e pronës së regjistruar në Kosovë është në pronësi të grave. Ne kemi punuar në mënyrë intensive për ta adresuar këtë çështje në të gjitha nivelet e shoqërisë. Mundësia për të pasur pronë dhe qasje të barabartë në trashëgimi është një hap në drejtimin e duhur drejtë fuqizimit të grave dhe pavarësisë së tyre ekonomike,” tha ai.