Ndarja e granteve në Mitrovicë - Foto: UNDP

Grante për 39 Mitrovicas

39 mitrovicas kanë përfituar grant në kuadër të fazës së dytë të Programit të Vetëpunësimit që mbështetet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës.

Në një komunikatë të UNDP-së citohet ministri Arban Abrashi të ketë thënë gjatë ceremonisë se me këto grante u ka ndryshuar jeta për të mirë 39 familjeve kosovare.

“Lari Peltonen, Sekretari i Parë për Zhvillim dhe Bashkëpunim, i Ambasadës së Finlandës në Kosovë shprehi falënderimin ndaj institucioneve të Kosovës, gjegjësisht Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për përkushtimin e plotë të treguar për të mbështetur programe aktive në Kosovë, të cilat janë të rëndësishme për rritjen ekonomike dhe zbutjen e papunësisë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga zyra e UNDP-së në Kosovë.

Ndërkaq Yllka Gërdovci, analiste e programit në UNDP, u shpreh se organizata ku punon ajo ka mbështetur MPMS-në në implementimin e shumë programeve aktive të tregut të punës, me një bashkëpunim më shumë se 10-vjeçar.

“Këto programe kanë treguar se në rast se përdoret qasja e duhur në shërbime publike të punësimit, dhe iniciativat e duhura për sektorin privat, atëherë mund të shohim ndryshime të cilat kanë ndikim pozitiv në rritjen e mirëqenies së njerëzve në Kosovë”, ka thënë Gërdovci.

Sipas komunikatës objektivi kryesor i këtij Programi është t’u japë mundësi të papunëve të regjistruar në Zyra të Punës të krijojnë ndërmarrje të reja.

Gjate vitit 2016, gjithsej 264 punëkërkues aplikuan me idetë e tyre të biznesit nëpër Zyrat e Punësimit në rajonin e Mitrovicës.

100 kandidatët me idetë më të mira u përzgjodhën për t’u trajnuar si të zhvillojnë planet e tyre të biznesit. Pas një procesi konkurrues, 39 plane të biznesit të paraqitura u shpërblyen me asistencë financiare dhe mentorim të vazhdueshëm.

Vlera monetare e granteve është ndërmjet 3,000 e 5,000 euro.

Deri më tani ky program ka mbështetur 82 biznese të reja.