Vladeta Kostiq, kryetar i komunës së Graçanicës

Graçanica po Vuan Pasojat e Bojkotit të Regjistrimit të Popullsisë

Në debatin për Graçanicën në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”, kryetari i kësaj komune Vlladeta Kostiq ka folur për punët e bëra dhe të pa bëra gjatë këtyre dy viteve.

Komuna e Graçanicës ka 19 asamblistë nga Iniciativa Qytetare Serbe 9, Aleanca Demokratike 6, Partia e Pavarur Liberale 3, dhe Nisma Qytetare “Vidovdan e cila ka një asamblist.

Graçanica është një komunë e vogël e cila ekziston që nga viti 2010 dhe Vladeta Kostiq është kryetari i tretë i cili është zgjedhur me zgjedhje të jashtëzakonshme për arsye se kryetari i kësaj komune, Branimir Stojanoviq, në atë kohë kishte dhënë dorëheqje, pasi që ishte emëruar Zëvendës Kryeministër në qeverinë e Kosovës.

Çështja e parë e cila u diskutua ishte  buxheti i përgjysmuar i cili sipas kryetarit nuk i përmbush nevojat reale të komunës.

“Komuna e Graçanicës, sipas të dhënave tona të brendshme, ka ndërmjet 22-25000 banorë, ndërsa buxheti është projektuar për 10600 banorë”, tha Kostiq.

Sipas tij, vendimi për një buxhet të tillë është marrë gabimisht nga politikanë të caktuar të cilët ishin përgjegjës për t’u kujdesur për serbët në këtë territor dhe të cilët e kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë.

“Në agjendën e Qeverisë është që në muajin prill të dorëzohet në Kuvend ligji për regjistrim të jashtëzakonshëm për komunat në të cilat nuk është mbajtur regjistrimi, aty nënkuptohen 4 komunat në veri dhe ne kemi kërkuar që ky regjistrim të zgjerohet edhe në komunat me popullatë serbe shumicë në jug të Ibrit”, shprehet ai.

Ai shprehet nëse kjo do të ndodhte, në vitin 2018 kjo komunë do të kishte buxhet më të lartë.

Çështja e dytë e cila u diskutua ishte ujësjellësi i vjetruar ku disa gypa janë më të vjetër se 40 vjet. Kostiq thotë se për këtë, faj ka gypi kryesor i cili nuk furnizon vetëm Graçanicën por edhe shumë fshatra në rrethinë si Laplasellën, Preocen dhe një pjesë të Çagllavicës.

“Ne bashkë me kompaninë regjionale patëm mundësi të bëjmë një marrëveshje respektivisht të nënshkruajmë një Memorandum Bashkëpunimi, me ç ‘rast ujësjellësi do ta zëvendësojë me shpenzimet e veta këtë gyp”, shprehet ai.

Sipas tij, gypi kryesor i ujësjellësit është zëvendësuar dhe më në komunë nuk janë ato probleme të cilat ishin vitin e kaluar. Ai thotë qe 6 ose 7 muaj po zhvillojnë bisedime me agjencinë austriake OSTAP, e cila e financon me kredi pa kamatë.

“Sasia  e fondeve që do të marrim, respektivisht sasia që do të na miratohet kjo gjithsesi do të varet nga Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës por edhe nga Ministria e Financave e Austrisë”, thotë ai.

Ai shtoi se në të njëjtin projekt para disa ditësh kanë vendosur nëse  KEK-u lejon që kabllot kryesore të rrymës dhe të gjitha kabllot t’i vendosin nën dhe në mënyrë që të fitojnë më shumë hapësirë në rrugën kryesore.

“Nëse ia dalim këtë vit t’i finalizojmë projektet dhe t’i marrim fondet e të fillojmë punimet, do të thotë menjëherë vitin e ardhshëm ose në fund të këtij viti, duhet të shohim si do të zhvillohen gjërat, kthimi i këtyre fondeve do të duhej të fillonte vetëm pas vitit 20121”, shprehet Kostiq.

Në lëmin e shëndetësisë u përmend ndërtimi i spitalit i cili kishte filluar në vitin 2010 mirëpo ende nuk është përfunduar. Kostiq këtë e cilëson si dështimin e tij për këtë vit.

“Spitali është diçka të cilën e konsideroj si dështim timin për këtë vit, pasi kjo ka qenë enigmë të cilën ende po mundohemi ta zgjidhim”, thotë ai.

Ai thotë që ka pasur biseda me pronarin e kompanisë e cila e ka ndërtuar objektin e këtij spitali mirëpo pohimet e tyre  dhe të drejtorisë së mjekësisë në Graçanicë nuk pajtohen në tërësi.

“Ajo se çfarë kemi bërë është se e kemi krijuar një komision tonin i cili ka qenë atje për  ta shikuar gjendjen dhe që ta bëjë vlerësimin”, thekson ai.

Ai tha se lidhur me këtë ata kanë zhvilluar bisedime edhe me Ministrinë e Financave në kuvend ku përmes komisionit për financa janë miratuar mbi 300.000 euro për këtë vit për vazhdimin e këtij projekti.

“Nuk mund të caktojmë afat, por jam më i sigurt se ato 300.000 euro këtë vit do t’i inkorporojmë në atë objekt”, deklaroi ai.