Grabovci: Erdha Me i Ba Do Emërime!

Adem Grabovci i është përgjigjur me ironi pyetjes së gazetarëve se pse ndodhet në prokurori.

“Nuk ndodhi asgjë se kem në prokurori do emërime me i ba. Po duhet ma tutje me vazhdu”, tha Grabovci.

Ai më tutje, pas intervistimit të sotëm në Prokurorinë Speciale në lidhje me bisedat telefonike të publikuara në Insajderi tha se do t’i përgjigjet interesimit të kësaj prokurorie sa herë të jetë nevoja.

“Jam i gatshëm çdoherë me dhanë kontributin tim për me u pastru dhe me dalë e vërteta në shesh,” tha Grabovci.

Florent Latifaj, avokati i Adem Grabovcit, tregoi se klienti i tij nuk u është përgjigjur pyetjeve që lidheshin me përgjimet.

“Zoti Grabovci iu përgjigj pyetjeve të përgjithshme, ndërsa sa u përket çështjeve specifike lidhur me atë çka është editu nga përgjimet që janë bërë gjatë vitit 2011 dhe 2012 unë e kam udhëzu me hesht derisa ta marrin një përgjigje definitive edhe nga EULEX-i, edhe nga gjyata se pse nuk është apliku neni 263 i ish-Kodit të Procedurës Penale,” tha Latifaj.

Ky nen i përmendur nga avokati Latifaj lidhet me urdhrin për përgjimin e telekomunikimeve.

Prokuroria po e heton Grabovcin për shpërdorim detyre dhe shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.