Grabitja në Deçan, në paraburgim edhe një i dyshuar

Gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim edhe ndaj një të dyshuari tjetër për grabitjen në Isniq të Deçanit.

Masa e paraburgimit erdhi pas zgjerimit të hetimeve nga Prokuroria e Pejës, me çka i është caktuar paraburgimi edhe të pandehurit S.G, për shkak se dyshohet që së bashku me të pandehurit A.N, M.N dhe XH.TH, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme kanë thyer derën e depos ndërtimore dhe kanë depërtuar brenda, ku i pandehuri M.N e godet rojën e depos dhe e lidh me kabllo elektrike,  nga ku marrin një telefon dhe nga arka marrin pazarin ditorë në vlerë prej 1.500 euro, e pastaj e mbyllin dhe largohen nga aty.

Me këto veprime i pandehuri S.G dyshohet se si bashkëkryes ka kryer veprat penale grabitje dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Bashkëkryesve A.M, M.N dhe XH.TH, iu është caktuar paraburgimi me datë 03.12.2018 ndërsa, S.G deri tani ka qenë në arrati.