Grabitja në "Al-Petrol", i akuzuari e pranon fajin në Gjykatë

Shkumbin Llugagjiu nga Peja, i akuzuar për grabitje në pompën e derivateve “Al-Petrol” në Gjakovë, e ka pranuar fajësinë.

“Është e vërtetë, e pranoj fajin, unë kam qenë me pushkë automatike, ndërsa personi i quajtur bardhi ka pasur revolen në dorë. Poashtu i kërkoj falje familjes sime dhe të dëmtuarit Shaban”, deklaroi i akuzuari Shkumbin Llugagjiu, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka.

Llugagjiu akuzohet nga Prokuroria se i armatosur e i maskuar, nga pompa e benzinës “Al-Petrol”, duke detyruar punëtorët e pompës Shaban Krasniqi dhe Rifat Salihu, ka marr 300 euro dhe 100 pako cigare të llojeve të ndryshme.

Bashkë me Llugagjiun kishte qenë edhe personi me nofkën “Bardhi”, i cili për momentin është i panjohur.

Në seancën e sotme, prokurori Ali Uka, tha se nuk kishin mundur që ta përcaktojnë dëmin e shkaktuar nga secili person veç e veç.

Ndërsa përfaqësuesja e autorizuar e pompës “Al-Petrol”, Elmaze Fazliu tha se dëmi i shkaktuar ju është kompensuar nga kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, në vlerë prej 2,356.65 euro.

Në seancën e sotme, prezent ishte edhe i dëmtuari Shaban Krasniqi, i cili nuk kërkoi kompenzim dëmi, ndërsa i dëmtuari tjetër Rifat Salihu nuk ishte fare prezent në gjykatore.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Llugagjiu, avokati Hasan Shala, kërkoi nga gjykata që t’i ndërprehet arresti shtëpiak.

Ndërkaq gjyqtari i çështjes Nikollë Komani, vendosi 4 korrikun për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, kjo vepër kishte ndodhur në tetor të vitit 2018, ku Shkumbin Llugagjiu bashkë me personin me nofkën “Bardhi”, të armatosur dhe të maskuar kishin grabitur pompën e benzinës “Al-Petrol” në fshatin Kralan të Gjakovës.

Në aktakuzë thuhet se nën kërcënimin e armës, kanë detyruar dy punëtorët e pompës Shaban Krasniqin dhe Rifat Salihun që të shtrihen për tokë, kanë marrë 300 euro dhe 100 boksa cigare dhe janë larguar.