Grabitësve të ‘Western Unionit’ u ‘Fluturoi’ një Pjesë e Parave

Në disa fotografi të siguruara nga KALLXO.com shihen monedha prej 50 eurosh të shpërndara në tokë pranë filialit të “Western Union” që u grabit të hënën.

Me gjasë, këto monedha u kanë rënë hajnave të maskuar që kishin grabitur agjencinë e transferimit të parave dhe duke dalë ishin konfrontuar me armë zjarri me një polic në rroba civile, i cili kishte qëlluar aty rastësisht.

Siç raportoi parmbrëmë KALLXO.com, njëri prej dy hajnave të maskuar dhe të armatosur ishte plagosur me gjasë nga plumbat e zyrtarit policor.

Ndërkohë, ende nuk dihet saktësisht se sa para kanë arritur të grabisin hajnat në pikën e “Western Union”-it në lagjen “Bazhderhane”.

Polici Civil Plagos Grabitësin e Dyshuar të ‘Western Union’

E kontaktuar nga KALLXO.com, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, tha se ende zyrtarisht nuk dihet vlera e parave të grabitura gjatë sulmit të parmbrëmshëm.

Ajo tha se ka autorizuar policinë dhe se është duke pritur informatat zyrtare.

Nga burime brenda Policisë, KALLXO.com ka kuptuar se parmbrëmë janë gjetur 28 bankënota të 50 eurove, të cilat u kishin rënë grabitësve në ikje e sipër.