GLPS prezanton raportin për reformat në Administratën Publike

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në një tryezë diskutimi, ka prezantuar sot raportin për reformat në Administratën Publike.

Ky raport flet për përfshirjen e shoqërisë civile në reforma dhe monitorimin e tyre.

Monitorimi i reformave në Administratën Publike është kryer në kuadër të projektit WeBER, ku ka përfunduar cikli i parë i monitorimit.

Monitorimi sipas WeBER-it, mbështetet në aftësitë dhe njohuritë lokale të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.

Ai bazohet në Parimet e Administratës Publike të SIGMA-s.

Arbëresha Loxha nga GLPS, ka treguar se raporti është i bazuar në gjashtë fusha të Administratës Publike.

‘’Ne jemi bazuar në parimet e SIGMA-s, por që kemi dërgu indikator në gjashtë fushat e Administratës Publike të cilat kanë qenë më relevante dhe më të nevojshme për t’i monitoruar. Përveç se kemi analizu ueb-faqet e institucioneve, kemi kërkuar të dhëna nga institucionet përmes qasjes në dokumente publike. Ne kemi realizu gjithashtu edhe 3 anketa. E para është realizu në tetor-nëntor të vitit 2017 mbi perceptimin e publikut ndaj Administratës Publike. Anketa e dytë është bërë me organizatat e shoqërisë civile dhe e treta me shërbyesit civil’’, ka thënë Loxha gjatë prezantimit të të gjeturave të këtij raporti.

Ndërsa Besnik Tahiri Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore ka pretenduar në transparencë të plotë të Qeverisë së Kosovës ndaj shoqërisë civile, duke thënë se kjo punë është vlerësuar pozitivisht edhe nga Bashkimi Evropian.

‘’Prej 245 dokumenteve publikë që i ka Qeveria e Kosovës, 221 prej tyre kanë qenë në konsultim publik. Dhe e fundit që dua me theksu, Presidenti i Kosovës e ka tërheq javën e kaluar një ligj me kërkesën e shoqërisë civile’’, ka deklaruar Tahiri.

Ai gjithashtu ka folur edhe për tre ligjet e reformës shtetërore në Administratën Publike Kosovës të cilat tashmë janë proceduar për votim në Kuvendin e Kosovës.

“Tre ligjet për reformat shtetërore janë proceduar në Kuvendin e Kosovës, ne si Komision e kemi kryer punën tonë , gjithashtu edhe Qeveria e ka kryer punën e saj, tash jemi duke pritur që të dalë në votim në Kuvend”, ka thënë Tahiri.

Pjesë e kësaj tryeze të diskutimit ishin edhe përfaqësuesja e BE-së për Reforma Shtetërore Malgorzata Skocinska, përfaqësues nga Ministria e Financave Rexhep Vasolli, Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrin e Administratës Publike Naser Shamolli dhe përfaqësuesja nga Zyra e Kryeministrit Arjeta Sahiti.