GLPS - Kosova nuk e ka me urgjencë dialogun me Serbinë

Kosova nuk duhet ta sheh me urgjencë përfundimin e dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Ky ka qenë përfundimi i analizës mbi dialogun nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Lekë Batalli nga GLPS, tha se analiza që kanë bërë ka prekur tri segmente të ndryshme, mbi të cilat edhe kanë ardhur në përfundime.

Zgjedhjet në Parlamentin Evropian, gjendja politike e brendshme në Kosovë dhe qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë mbi dialogun.

Sipas Batallit, janë disa arsye që Kosova mos ta sheh me urgjencë përfundimin sa më të shpejtë të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk është e domosdoshme ta kryejmë dialogun ne, duhet të lihet anash urgjenca dhe duhet të shihen me kujdes qëndrimet e Rusisë për këtë proces”, tha Lekë Batalli nga GLPS.

Sipas tij, pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk është siç ka qenë në të kaluarën, po ashtu qëndrimet e ndryshme ndërmjet pozitës dhe opozitës, por edhe ato në mes presidentit dhe kryeministrit, janë sinjale se Kosova mund të jetë në pozitë jo të favorshme.

“Ndarjet pozitë dhe opozitë por edhe ndarjet në pushtet, dhe po ashtu edhe përkrahja që kemi pasur është zbehur, pozita jonë është negative në këto momente”, ka konstatuar Batalli.

Sipas analizës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike, shteti i Kosovës duhet të përfitoj kohë në raport me dialogun Kosovë – Serbi.

“Kosova duhet të paraqes një dokument nga ekipi nogociator me kushte, kështu do të përftoj në kohë. Ne për një kohë të shkurtër nuk mund t’i përfshijmë të gjitha temat”, përfundoi Batalli.

Pjesë e diskutimit publik mbi analizën e GLPS ishin të ftuar edhe përfaqësues të partive politike në vend.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë së ka qenë gabim kur është formuar ekipi negociator. Sipas tij, ky ekip nuk do të mund ta ndaloj presidentin Thaçi në raport me idetë e korrigjimit të kufijve. Sipas tij, kryeministri Haradinaj në fillim kur mori mandatin ja delegoi kompetencat presidentit për dialogun.

“Braktisja e kompetencave të veta nga ana e kryeministrit. Kompromisi i parë i Haradinajt ishte që presidenti Thaçi me vazhdu dialogun që e nisi. Presidenti vitin e kaluar e ka përmend shkëmbimin territorial”, tha ai.

“Ne mendonim që kemi qëndrime të njëjta me kryeministrin kur ai kundërshtonte në fillim presidentin, por ky lejoj që të formohet një ekip negociator dhe më këtë gaboi sepse këta nuk do të mund ta ndalojnë atë. Ideja e tij tashmë ka avancuar”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të LVV-së.

Ai ka thënë se kryeministri aktual është i pafuqishëm dhe udhëhiqet nga lakmia për pushtet.

“Kryeministri Haradinaj udhëhiqet nga lakmia për pushtet. Ai ka edhe qëllime të mira për vendin, por kur vjen fjala te pushteti, kjo ja mund ato qëndrimet e mira që i ka”, tha Konjufca.

Përfaqësuesi i partisë Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherfi tha se Kosova aktualisht në raport me Serbinë është në disavantazh. Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të mbrojë Pavarësinë e vet.

“Nuk duhet të synojmë një marrëveshje që duhet të shitet në Serbi, siç është thënë disa herë. Jemi në një situatë që duhet të mbrojmë atë që ka ndodhur me 17 shkurt 2008”, tha Sherifi.

Ai ka folur edhe për edhe për idenë që ka qarkulluar në opinion publik rreth korrigjimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sherifi ka thënë se nuk duhet të luhet me ndjenjat e qytetarëve kur përmendet marrja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

“Luhet me ndjenja se do të fitojmë më shumë se me 17 shkurt të 2008. Nuk është mirë të luhet me këtë lojë sepse nuk do të fitojmë ashtu siç po thuhet”, ka thënë Sherifi duke ju referuar deklarimeve të presidentit Thaçi në raport me komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Visar Ymeri nga Partia Social Demokrate ka thënë se qëllimi i përfshirjes së PSD-së në këtë proces ka qenë që ta transformoj dialogun që është zhvilluar deri më tani, për të cilin tha se të gjitha partitë, përveç PDK-së kanë pasur vërejtje.

“Kishte një papajtueshmëri me mënyrën se si zhvillohej dialogu. Mendimi ynë si PSD ka qenë që të transformohet dialogu dhe mënyrën në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Tash, me iniciativat tona, vendimmarrja i takon Kuvendit, gjithashtu synojmë rritjen e transparencës në këtë proces”, tha Ymeri.

Ai po ashtu ka thënë se krijimi i platformës për dialog ka krijuar hapësirë edhe për partitë opozitare.

Sipas nënkryetarit të PSD-së, nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e saj.

“Nuk do të ketë marrëveshje pa njohje. Nuk do të bëjmë gabime më si në të kaluarën, nuk do të ketë pazare të njëanshme”, vlerësoi Ymeri.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka kaluar në lexim të parë ligjin për dialogun të shtunën që lamë pas.