Pamje nga homazhet për Astrit Deharin - Foto: Atdhe Mulla

Gjyqtarit Nuk i Kujtohen Lejet e Vizitave për Astrit Deharin

Në një raport të KMDLNj-së thuhet se Dardan Molliqaj e Sami Kurteshi me lejen e gjykatësit të procedurës paraprake e kishin vizituar Astrit Deharin pak ditë para se ky të gjendej i vdekur në qeli.

Dje KALLXO.com kishte kontaktuar zëdhënësen e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, për të pyetur nëse gjykatësi i procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjeva, u kishte dhënë leje dy zyrtarëve të Vetëvendosjes ta vizitonin Astrit Deharin disa ditë para se ky të gjendej të shtunën i vdekur në qeli.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se gjyqtari i procedurës paraprake nuk është në dijeni lidhur me ndonjë kërkesë për leje-vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për të ndjerin A.D.”, ka thënë zëdhënësja Mirlinda Gashi.

E tani përgjigjja nga zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës është se gjyqtari pranon shumë kërkesa për lejim të vizitave, ndërsa ka mundësi që ka nënshkruar edhe ndonjë leje për vizitat nga dy zyrtarët e VV-së.

“Gjyqtari ka shumë çështje në vendosje, pranon shumë kërkesa për lejimin e vizitave të pandehurve që gjenden në paraburgim dhe gjyqtari ka mundësi që të ketë nënshkruar edhe ndonjë leje për vizitë edhe për këta persona. Këtë mundësi gjyqtari Kashtanjeva as nuk e konfirmon e as nuk e mohon. Sido që të jetë në Qendrën e Paraburgimit ruhet çdo leje në bazë të cilës një person e viziton një të paraburgosur”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

KALLXO.com raportoi mbrëmë në bazë të përgjigjes së zëdhënëses së Gjykatës së Prishtinës se gjyqtari i procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjeva, nuk u kishte dhënë leje dy zyrtarëve të VV-së për të vizituar në qeli aktivistin Astrit Dehari, i cili të shtunën u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Prizrenit.

http://kallxo.com/gjyqtari-skam-lejuar-vizitat-e-molliqajt-e-kurteshit-ne-qeline-e-deharit/

Ndërsa, sot sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, tha se kur e ka vizituar bashkëveprimtarin Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit këtë e ka bërë me lejen e gjykatësit Kashtanjeva.

http://kallxo.com/vv-kerkon-nderprerjen-e-hetimeve-nga-grupi-aktual-hetues/