Autobusi që solli gjyqtarët dhe prokurorët | Foto: Kallxo.com

Gjyqtarët dhe Prokurorët e Pakicave te Presidenti për Dekretim

Gjyqtarët dhe prokurorët e komuniteteve pakicë që do të punojnë në sistemin e drejtësisë në veri kanë ardhur për dekretim te Presidenti Thaçi.

Ata aktualisht ndodhen brenda për të kryer procedurat pas të cilave mund ta nisin punën.

Sipas një deklarate të Presidencës, dekretimi i tyre është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur  një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.

Në deklaratë më tutje thuhet se me betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve para Presidentit bëhet edhe zbatimi i plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

Para pak momentesh nga ndërtesa e Kuvendit ku ndodhet Presidenca, doli kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

Aleksandër Lumezi, duke u larguar nga ndërtesa e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Javën e kaluar dekretimi dështoi, pasi gjyqtarët dhe prokurorët nuk shkuan te Thaçi për ta kryer këtë procedurë.

http://kallxo.com/deshton-dekretimi-gjykatesve-e-prokuroreve-serbe-thaci-akuzon-serbine-e-ne/

Presidenti Thaçi atë ditë akuzoi Serbinë se nuk lejoi shkuarjen për dekretim të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Thaçi të martën e kaluar fajësoi edhe BE-në për paaftësi të ndërmjetësimit.