Pamje nga seanca për tenderin për renovimin e stadiumit të Pejës - Foto: KALLXO.com

Gjyqi për Tenderin për Renovimin e Stadiumit të Pejës

Eksperti financiar Mentor Prekazi ka shpalosur ekspertizën e tij lidhur me kërkesat që ka bërë Gjykata në gjykimin  për tenderin që kishte qëllim renovimin e stadiumit të qytetit të Pejës.

Prekazi deklaroi se ekspertizën e ka bërë duke u bazuar në dokumentacionin e pranuar nga Prokuroria.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në vitin 2014 kishte ngritur aktakuzë ndaj Burim Reçicës, Xhafer Murtezajt dhe Enver Tahirajt, duke i akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me tenderin për stadiumin e Pejës.

Në pyetjet e prokurores Ikramije Bojaxhiu se a është evidentuar se N.SH. ”Com Arsimi“ dhe NTP “Expo” në cilësinë e fituesit të tenderit në dosjen e saj nuk kanë prezantuar fare marrëveshjen për bashkëpunim dhe se a ka qenë prezantimi i kësaj marrëveshjeje njëra prej kritereve, eksperti u përgjgij si në vijim: “Në dokumente që kam pranuar nuk e kam evidentuar këtë dokument. Në këtë pikë këto dy kompani nuk e kanë plotësuar kushtin dhe është në kundërshtim me nenin 66.2 të Ligjit mbi Prokurimin Publik”, tha Prekazi.

Prokuroria kërkoi nga eksperti të konstatojë se a janë shkelur disa nene të Ligjit për Prokurimin Publik.

“Ju keni vlerësuar se komisioni për vlerësim të ofertave kanë bërë shkelje të neneve 61, 62, 63, 64 dhe 66 të Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë?”, ishte pyetja e prokurores.

“Po ashtu është dhe atë e kam elaboruar në pjesën tjetër të ekspertizës”, deklaroi shkurt eksperti.

Eksperti po ashtu potencoi se në ekspertizë është konstatuar se kompania “Expo”, njëra nga kompanitë fituese, ka dorëzuar certifikatën e regjistrimit të biznesit me afat të skaduar dhe se këto kompani janë favorizuar nga komisioni vlerësues.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në vitin 2014 kishte ngritur aktakuzë ndaj Burim Reçicës, Xhafer Murtezajt dhe Enver Tahirajt.

Tre të pandehurit Prokuroria i akuzon se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Këta tre zyrtarë, sipas Prokurorisë, si anëtarë të komisionit vlerësues në Ministrinë e Arsimit Rinisë dhe Sporteve kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke mos përmbushur kërkesat sipas ligjit gjatë vlerësimit të përgjegjshmërisë së tenderëve dhe gjatë procedurës së udhëheqjes së tenderit “Renovimi i Stadiumit të Pejës”.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë favorizuar kompaninë “Com Arsimi” dhe “Expo” në vlerë prej 237.622 euro dhe kanë dëmtuar kompanitë “North“ për 240.353 euro, “Menti“ në vlerë prej 286.793 euro dhe kompaninë “Qeta“ me 294.726 euro.

Këto kompani Prokuroria i sheh si të përgjeshme e të cilat mund të ishin fituese.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/kundershtojne-aktakuzen-zyrtaret-e-ministrise-se-kultures/