Gjyqi i parë i Gjykatës Speciale do të krijojë një precedent

Pas një pritje 6-vjeçare, gjyqi i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të nisë më 15 shtator, me ish-oficerin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, që përballet me akuza për ndalim të paligjshëm, torturim dhe vrasje të të burgosurve.

Javën e kaluar u njoftua se gjyqi i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të hapet më 15 shtator – thuajse një vit pasi prokuroria bëri arrestimin e saj të parë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, dhe më shumë se gjashtë vjet pasi u krijua gjykata.

Ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të dalë para gjykatës e cila u krijua për të gjykuar ish-pjesëtarët e UÇK-së për krime të pretenduara të kryera gjatë luftës së Kosovës nga viti 1998 në 2000.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.

Ato u krijuan në gusht 2015 nga Parlamenti i Kosovës, nën presionin e aleatëve perëndimorë të vendit, të cilët besojnë se vetë sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk është aq i fuqishëm sa të gjykojë çështjet e UÇK-së dhe të mbrojë dëshmitarët nga kanosja, pasi çështje të mëpashme në Gjykatën e Hagës u shoqëruan me ndërhyrje te dëshmitarët.

Aktakuza e Mustafës u konfirmua më 12 qershor, gjashtë muaj pasi ai u bë i dyshuari i parë i UÇK-së që u arrestua dhe u transferua në paraburgim në Hagë në pritje të gjyqit.

Prokurori kryesor i çështjes, Jack Smith, tha në tetor 2020 se ai do të thërrasë të paktën 15 dëshmitarë për të dëshmuar kundër Mustafës.

Mustafa, i cili ishte një komandant në Zonën Operative të Llapit gjatë kohës e luftës, në verilindje të Kosovës, dhe njihej gjithashtu me pseudonmin “Komandant Cali”, është vetëdeklaruar i pafajshëm.

Gjyqi i tij, i cili mund të zgjasë për më shumë se një vit, do të krijojë një precedent për pjesën tjetër të çështjeve të UÇK-së, thanë ekspertët për BIRN.

Pretendimi për “sipërmarrje të përbashkët kriminale” shkakton zemërim

Aktakuza e akuzon Mustafën për “ndalim arbitrar… trajtim mizor… torturë… dhe vrasje” të civilëve midis “afërsisht 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999”.

Ajo pretendon se ai ishte pjesë e një ndërmarrje të përbashkët kriminale që bashkonte “disa ushtarë, policë dhe roje të tjerë të UÇK-së”, e cila kishte një “qëllim të përbashkët për të marrë në pyetje dhe keqtrajtuar të ndaluarit”.

Mediat dhe avokatë në Kosovë e kanë interpretuar përdorimin e termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale” si një sulm ndaj vetë UÇK-së, duke pretenduar se ai mund të shihet si një sugjerim që UÇK-ja ishte një organizatë kriminale.

Ky interpretim ka nxitur pakënaqësi mes shqiptarëve të Kosovës, shumë prej të cilëve e shohin të ashtuquajturën “Gjykatë Speciale” si një fyerje për luftën çlirimtare të UÇK-së kundër sundimit shtypës serb.

Megjithatë, Amer Alija, një koordinator dhe analist ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i tha BIRN se pretendimi se ekzistonte një ndërmarrje e përbashkët kriminale nuk duhet “të interpretohet në kontekstin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse jo çdo ushtar ose anëtar i UÇK-së është përgjegjës për krimet e kryera nga një ushtar i cili nuk ka respektuar rregullat e luftës”.

Alija tha se të dyshuarit mund të gjykohen se kanë marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale ose nga veprimet – duke “urdhëruar ose duke marrë pjesë drejtëpërdrejtë në shkelje” – ose nga mosveprimi i tyre – “duke qenë ushtarë” të ushtarëve dhe duke qenë të vetëdijshëm se po kryheshin krime lufte”, por duke mos ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar ose sanksionuar krimet.

Aktakuza në çështjen Mustafa pretendon se të ndaluarit mbaheshin në një kompleks të UÇK-së në fshatin Zllash dhe u privuan nga ushqimi, uji, higjiena, shtrati dhe kujdesi mjekësor dhe iu nënshtruan “rrahjeve me instrumente të ndryshme, djegieve dhe administrimit të goditjeve me shkarkime elektrike”.

Ata gjithashtu u torturuan psikologjikisht, “duke përfshirë nëpërmjet kërcënimit me vdekje dhe dëmtimit të rëndë trupor, frikës, poshtërimit, diskriminimit për arsye politike, kanosjes, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe deklaratave dhe rrëfimeve të detyruara ose të shtrënguara”, thuhet në aktakuzë.

Akuza më tej pretendon se Mustafa shpesh urdhëroi anëtarët e tjerë të njësisë së tij që të torturonin të ndaluarit ose e bëri vetë këtë gjë.

Krijimi i një modeli për gjyqet e tjera

Taulant Hodaj, një avokat nga Kosova i cili është një partner në firmën ligjore “Hodaj & Partners”, tha për BIRN se gjyqi i Mustafës do të “krijojë një precedent” për praktikat e gjykatës në pjesën tjetër të çështjeve kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Si dhe Mustafa, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe dy ish-guerrilët e tjerë të kthyer në politikanë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi janë gjithashtu në paraburgim në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pjetër Shala, aktakuza e të cilit u konfirmua në të njëjtën ditë me Mustafën, por i cili u arrestua në mars 2021 në Belgjikë, gjithashtu po pret gjykimin. Ata të gjithë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një gjykatë relativisht e sapokrijuar dhe procedurat e saj ende nuk janë vënë në provë në një gjyq.

“Duke qenë një gjykatë e re, do të ketë vonesa dhe shumë ankesa nga mbrojtja … sepse praktikat e zhvilluara nuk ekzistojnë ende”, tha Hodaj.

Edhe para se të fillojë gjyqi i parë, avokatët mbrojtës tashmë kanë akuzuar prokurorinë për mos zbulimin e duhur të provave dhe shkaktimin e vonesave që kanë penguar çështjet e tyre.

Bazuar në gjyqet e mëparshme të krimeve të luftës, gjyqi kundër Mustafës ka të ngjarë të zgjasë më shumë se një vit.

Që mbrojtja të ketë sukses, ajo duhet të refuzojë të gjitha dëshmitë dhe provat e siguruara nga prokuroria, zakonisht duke përdorur alibi, shpjegoi Alija.

“Zakonisht në gjykimet e krimeve të luftës, mbrojtja përpiqet të provojë që i akuzuari nuk është përgjegjës duke siguruar një të dyshuar tjetër, i cili zakonisht nuk është më gjallë”, shpjegoi Alija.

Deri më tani avokati kryesor mbrojtës i Mustafës, Julius von Bone, nuk ka deklaruar se sa dëshmitarë do të thërrasë për të dëshmuar. BIRN kontaktoi me von Bone, por nuk mori përgjigje deri në kohën e publikimit.

Alija dhe Hodaj thanë se ata besojnë se vendimi i shkallës së parë në gjyqin kundër Mustafës do të jepet deri në fund të vitit 2022. Një apel mund të sigurojë që procesi të vazhdojë deri në vitin 2023 ose edhe më gjatë.