Gjykimi për vrasjen që i parapriu konflikti për shitblerjen e kafshëve

Në gjykimin ndaj dy vëllezërve Sadat e Fejard Llugaliu të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut, ngjarje kjo tragjike të cilës pretendohet t’i ketë paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve, në cilësi të dëshmitarit u dëgjuan eksperti Flamur Dylhasi dhe dëshmitarët Shahin Shabani dhe Agron Pajaziti.

Në pyetjet e parashtruara nga prokuroja Besa Limani, se vdekja e tani të ndjerit Fahri Bunjaku ka ardhë si pasoj e gjakderdhjes së jashtme apo të brendshme, eksperti deklaroi se “këtu kemi të bëjmë me dëmtim të kombinuar të trurit dhe të enëve kryesore të gjakut, në bazë të praktikës mjekësore, kemi pas raste nga dëmtimi i trurit është shkaktuar gjakderdhja me të cilën ka ardhur deri te vdekja, dhe kem pas raste gjithashtu nga enët e mëdha të gjakut të vije deri te vdekja. Në rastin konkret nuk mund të përcaktohet se vdekja ka ardhur  nga arma e zjarrit apo nga dëmtimet me mjet të fortë, mundet me qenë edhe njëra edhe tjetra”.

Ndërsa dëshmitari Agron Pajaziti deklaroi se ngjarja para se me ndodh, ai e kishte parkuar makinën e tij afër parkut.

“Pas 30 minutash sa kom nejt në kafene kemi dëgjuar krisma,  në atë moment nuk kemi dal jashtë për shkaqe sigurie. Masandej kur ka ardhë policia e kam dëgjuar çfarë ka ndodhur. Dhe mbas 2 orëve kam shkuar me marr makinën, e kam parë se policia e kishte rrethuar sepse makina ime kishte një vrimë në pjesën e përparme, aty e kam vërejtur se plumbi ka bërë vrima në makinën time”, tregoi dëshmitari.

Dëshminë e tij e dha edhe Shahin Shabani, i cili deklaroi se rasti ka ndodhur para dyerve të shtëpisë së tij.

“Në atë moment isha në shtëpi, kur i kam dëgjuar krismat e armës, njëherë kam menduar se janë mjete piroteknike, masnej kam dal në dritare dhe i kam par 3 makina të parkuara. Afër veturës se parë ishte një person i plagosur rëndë, dhe e kam dëgjuar duke thirrur “ndihmë, ndihmë…”, “o thirrni policinë”, “më vranë”. Kam hyrë brenda shtëpisë time dhe në atë moment e kam thirr policinë. Afër veturës së të plagosurit kanë qenë të parkuara edhe dy vetura tjera, dhe një veturë në dalje të rrugës, ku aty kam vërejtur një person me një mjete në dorë, por çfarë ka pasur në dorë nuk kam mundur me vërejt sepse ishte natë”, tha dëshmitari Shabani.

“Unë atë natë kuptova që kishte vdekur një person , dhe unë kam menduar që ka vdekur personi që e kom pa të plagosur afër shtëpisë time”, rrëfeu dëshmitari Shahin Shabani.

I dëmtuari Abdyl Bunjaku e pyeti dëshmitarin se kush të detyroi të bësh një skicë?

 

Dëshmitari Shabani theksoi se atë natë kamerat e shtëpisë së tij nuk kanë punuar.

“Unë vet e kam bo atë skicë në prokurori për me pasqyruar një të vërtet”, tha dëshmitari.

Po ashtu të akuzuarit Fejad dhe Sedat Llugaliu e pyetën dëshmitarin se “A na  ke parë natën kritike kur ka ndodhur rasti?”.

Dëshmitari Shahin Shabani tha: “Unë nuk ju njoh dhe nuk ju kamë parë sepse ka qenë  natë”.

Avokati Gëzim Kollqaku gjykatës ia propozoi një provë ku thuhet se jashtë trupit të Sedat Llugalisë është gjetur një predhë e fishekut, dhe tha se kërkon ta dijë a është bërë ekzaminimi i kësaj dëshmie?

Kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj propozimin e avokatit Gëzim Kollqaku e aprovoi.

https://kallxo.com/pleqnari-deshmon-ne-gjykate-per-konfliktin-qe-i-parapriu-vrasjes-se-fahri-bunjakut/

Seanca e radhës do te mbahet  24 janar.

Sipas aktakuzës së prokurorisë Sadat e Fejard Llugaliu së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve, sepse me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtënë në drejtim të tij.

Në këtë proces gjyqësor i akuzuar ka qenë edhe Esat Llugaliu, por ndaj tij është veçuar procedura penale pasi që i njëjti ka pësuar lëndime trupore të rënda me pasoja të përhershme për shëndetin.

Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore.