Gjykimi për vrasjen e Donjetës, nga ngritja e aktakuzës deri te dënimi me burgim të përjetshëm

Ishte data 9 nëntor 2015 kur 24 vjeçarja Donjeta Pajazitaj për herë të fundit ishte nisur për në punë.

Atë ditë Donjeta ishte zhdukur dhe pas 6 javësh kërkimi ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit.

Trupi i pajetë i Donjetës ishte i mbuluar me dru.

Për gjetjen e saj familjarët ishin njoftuar nga kushëriri Naser Pajazitaj, i cili më pas u bë edhe i dyshuari kryesor për vrasjen.

Nën këto dyshime, Prokuroria kishte formuar bindjen se pikërisht Naser Pajazitaj ishte personi i cili e kishte privuar nga jeta Donjetën, dhe lidhur me këto pretendime kishte ngritur aktin akuzues ndaj tij.

Naser Pajazitaj doli para Gjykatës Themelore në Pejë dhe u përball me disa seanca gjyqësore.

Ai po akuzohej për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta Pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.

Vëllai i Donjeta Pajazitajt Grushton të Akuzuarin pas Seancës

Pas mbajtjes dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor me gjashtë mars 2018, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Sylë Lokaj doli dhe shpalli aktgjykimin.

Me atë aktgjykim i akuzuari Naser Pajazitaj u shpall i pafajshëm për vrasje ndërsa me dy vite e katër muaj burgim u dënua për armëmbajtje pa leje.

Naseri ishte liruar në mungesë të provave.

Atëkohë Gjykata gjatë leximit të aktgjykimit, kishte theksuar se Prokuroria nuk kishte arritur të dëshmonte se i akuzuari e kishte marrë në veturën e tij Donjetën dhe kishte vlerësuar se është dëshmuar që në kohën kur pretendohej se është kryer vepra Naseri kishte qenë në një fshat tjetër, në një të pame.

Po ashtu, Gjykata kishte vlerësuar se në pamjet e kamerave të siguruara Naser Pajazitaj kishte qenë i vetëm në veturë dhe se fija e flokut e cila ishte gjetur në veturën e tij nga analiza e FBI-së kishte rezultuar se nuk i takonte Donjeta Pajazitajt.

E pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, prokurorja Valbona Haxhosaj kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimet se nuk ishte vlerësuar drejt gjendja faktike.

Me dhjetë shtator 2018, ankesat e palëve u shqyrtuan nga kolegji i Apelit.

Pas mbajtjes se seancës dëgjimore Gjykata e Apelit vendosi që çështjen ta kthente në rivendosje.

EKSKLUZIVE: Arsyet pse Apeli e ktheu në rivendosje rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Kolegji shqyrtues, i kryesuar nga gjykatësi Xhevdet Abazi gjeti se me aktgjykimin me të cilin Naser Pajazitaj ishte liruar nga akuza, ishte vërtetuar gabimisht e vërteta.

Apeli kishte vlerësuar se pretendimet e Prokurorisë se provat e propozuara nuk janë vlerësuar në mënyre të drejtë ishin të bazuara.

Sipas Apelit, Gjykata e Pejës nuk kishte arritur që ta vërtetojë në mënyrë të drejtë gjendjen faktike sepse gjeti se ka kundërthënie në deklaratat e dëshmitares Arjeta Ukaj, vajzës së të akuzuarit e cila pas presionit familjar i ka ndryshuar deklaratat.

Apeli me vendimin e dhënë kishte propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet dëshmitari që ishte paraqitur anonim.

Bazuar në këto konstatime Gjykata e Apelit çështjen e kishte kthyer në Rigjykim.

Rigjykimi i Naser Pajazitajt filloi më 17 dhjetor 2018.

Gjatë rigjykimit u mbajtën disa seanca gjyqësore dhe sot me datën 25 mars 2019, Gjykata e shpalli të përfunduar gjykimin.

Trupi gjykues në përbërje të gjyqtareve Kreshnik Radoniqi, Sali Berisha dhe Lumturije Muhaxheri vendosën që Naser Pajazitajn ta dënojnë me burgim të përjetshëm.

Sipas këtij trupi gjykues, Naser Pajazitaj u dënua me burgim të përjetshëm pas nxjerrjes së provave të reja që kanë munguar më parë.

“Këto prova të reja në lidhshmëri me prova të tjera e dëshmojnë se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetari i trupit gjykues.

Si provë e re u konsiderua dëgjimi i dëshmitarit Qerim Jusaj, i cili në ditën kritike ishte i mitur.

Dëgjimi i tij ishte udhëzuar nga Gjykata e Apelit.

Po ashtu, në ketë gjykim u shfaqën video incizimet e ditës kur Donjeta Pajazitaj ishte zhdukur.

Në këto vidoe u shfaqën pamjet në të cilat Naser Pajazitaj po lëvizte me veturë kah shtëpia e Jusajve në kohën dhe në afërsi të vendit në të cilën Prokuroria pretendon se ishte marrë Donjeta.

Pas vendimit për burgim të përjetshëm, Shkelqim Pajazitaj, vëllai i viktimës Donjeta Pajazitaj tha se ky është vendimi i drejtë.

“Vendimi është i drejtë nga ana e drejtësisë, duhet me besu në drejtësi, bëj apel te Ministri i Drejtësisë që të mos të lejojë që në Kosovë të punojnë gjyqtarë si gjyqtari paraprak”, tha Shkelqim Pajazitaj, duke iu referuar procesit të parë gjyqësor në këtë rast, i cili ishte përmbysur nga Gjykata e Apelit.

Të kundërtën e kësaj e shprehu mbrojtësi i të akuzuarit Naser Pajazitaj.

Avokati Gëzim Kollçaku, tha për KALLXO.com se nuk e di se çka ka konsideruar Gjykata si prova të reja, pasi që të gjitha janë të njëjtat.

“Veç Gjykata i di, ka me i imagjinu se në ato krejt shqyrtimet gjyqësore të gjitha ato prova që kanë qenë herën e parë… asnjë provë më të voglën nuk është e re, asnjë dëshmitar ama bash kurrgjë hiç. Nuk kam ide… Por jam kureshtar ta di se në bazë të cilave prova, në bazë të çfarë motivi me i dhënë njeriut dënim me burgim të përjetshëm. Me të vërtetë jam shumë i zhgënjyer”, tha avokati Gëzim Kollçaku.

Akuza: Prokuroria e akuzon Naser Pajazitajn për vrasjen e kushërirës së tij, 24 vjeçares Donjeta Pajazitaj.

Sipas prokurorisë gjatë kohës në të cilën Donjeta po shkonte për në punë, ishte marrë në veturë nga i pandehuri Naser Pajazitaj, i cili e kishte dërguar në bjeshkën e Deçanit, tek vendi “ Kroi i Lajthisë”.

Gjithnjë sipas aktakuzës pasi i akuzuari e kishte dërguar viktimën në atë vend e kishte nxjerrë armën dhe me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Aktakuza përshkruan se pas këtij akti makabër, Naser Pajazitaj e kishte mbuluar trupin e viktimës me dru.

E kaluara kriminale; Naser Pajazitaj është i njohur për organet e drejtësisë.

Ai ishte dënuar me 20 vite burgim gjatë vitit 1993 nën akuzat për vrasjen nga hakmarrja.

Vendimi i tillë ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme.