Gjykimi për Vjedhje në Përvjetorin e Pavarësisë

Ylli Alushi, Valon Maqani, Kabil Kamerolli dhe Driton Rakeliu akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se më 17 shkurt 2015 në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së bashku kryen vjedhje të rëndë në një shtëpi të fshatit Llapashticë e Ulët.

Nga ajo shtëpi sipas prokurorisë katër të akuzuarit kishin vjedhur 8 mijë e 250 euro dhe 200 franga zvicerane, si dhe një sasi të stolive të arta.

Prokuroria bashkë me të akuzuarit për vjedhje, e ngarkon edhe Erduhan Krasniqin për blerje të sendeve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.

Ne seancën e sotme të zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dëshminë e tij e dha Fahredin Jashari i cili me 17 shkurt 2015 ia kishte shitur një veturë te akuzuarit Ylli Alushi.

Dëshmitari Jashari tregoi se pas shitjes së veturës, policia ia kishte bërë me dije se paratë që kishte marrë ishin të vjedhura.

“Unë ia kam shitur veturën Yllit në vlerë prej 2.500 euro, mirëpo të nesërmen jam ftuar nga policia dhe me kanë pyetur se a ia kam shitur unë, dhe unë jam përgjigjur se po. Policia më kanë thënë se duhet me i kthye te hollat dhe me ardhur me marrë veturën, pasi që sipas tyre ato të holla kanë qenë të vjedhura,” tha dëshmitari Jashari.

Dëshmitari Jashari deklaroi se nuk i njeh te akuzuarit tjerë përveç Yllli Alushit.

Nga pesë të akuzuarit, fajësinë nuk e ka pranuar vetëm Driton Rakeliu, i cili edhe sot u deklarua i pafajshëm.

“Unë më 17 shkurt 2015 nuk kam qenë bashkë me të akuzuarit tjerë, e as që jam takuar me ta, unë të akuzuarin Valon Maqani e kam njohur edhe më herët, sepse e kemi diçka ne farefisni, ndërsa të akuzuarin  Ylli Alushi e kam njohur kur kam pasë nevojë me e rregulluar një vizë për Gjermani, pasi që ai ka punuar si taksist në Podujevë,” deklaroi Driton Rakeliu.

Ai mohoi se ka marrë 2 mijë euro nga paratë e vjedhura, edhe pse këtë e kishte thënë i akuzuari tjetër Ylli Alushi.

Avokati Naim Rudari mbrojtës i Driton Rekaliut pas seancës për  KALLXO.com tha se i mbrojturi i tij që nga fillimi e ka mohuar të ketë kryer veprën për të cilën akuzohet, po ashtu  sipas Rudarit edhe të bashkakuzuarit kanë deklaruar se i mbrojturi i tij nuk ka qenë kur e kanë kryer këtë vepër.

“I mbrojturi im që na fillimi ka mohuar të ketë kryer këtë  vepër penale dhe lidhur më këtë të bashkakuzuarit tjerë, njëri nga ta që nga fillimi e ka mohuar që i mbrojturi im të ketë qenë pjesë e kryerjes së kësaj vepre penale. Po ashtu edhe në shqyrtimi fillestar edhe një tjetër i bashkakuzuar  kur pranon fajësinë për vetveten deklaron për të mbrojturin tim se nuk ka qenë pjesë e asaj vepreje penale,” tha Rudari

Rudari tha se tani është faza a shqyrtimit të provave dhe barra i mbetet prokurorisë ta vërtetojë ose jo pjesëmarrjen e të mbrojturit të tij në këtë vepër penale.

“Tani jemi në fazën e shqyrtimit të provave është marrja në pyetje e të mbrojturit tim. I mbrojturi im prapë e mohon dhe mbetet që prokurori ta vërtetojë pjesëmarrjen e tij apo jo,” tha Rudari.